Nga sot në fuqi vendimi i ri për automjete, pagesa shtesë për matjen e gazrave
Qytetarët e Kosovës tani e tutje do të paguajnë edhe një shumë shtesë kur regjistrojnë veturat e tyre. Kjo pagesë do të bëhet për shkak se do të fillojë edhe matja e gazrave, e cila mund të sjell telashe pasi shumica e automjeteve për shkak të vjetërsisë supozohet të kenë problem të kalojnë testet që do të aplikohen.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kanë bërë të ditur se nga 1 shatori ka filluar implementimi i vendimit për matjen e gazrave të automjeteve edhe në Kosovë.
Kjo për shkak se sipas ekspertëve llogaritet 220 ton materie grimcore, të dëmshme që lirohen nga veturat në Kosovë.
E nga kjo statistikë mund të konsiderohet se automjetet janë ndër ndotësit kryesor të ajrit në vend, çka e rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve tanë.
Kështu për ta ndalur këtë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të fillojë matjen e emetimit të gazrave nga automjetet.
Mirëpo, ka një tejkalim nga ajo që është deklaruar më parë, pasi ishte thënë se automjetet në vendin tonë duhet të përmbushin kushtet teknike “Euro 4”, e tani kërkohet që të përmbushin kushtet “Euro 5”.
Sipas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilin e ka siguruar Agjencia e Lajmeve FaktePlus, tani obligohet matja e gazrave dalëse për mjetet rrugore të regjistruara, që klasifikohen jo më lart se niveli EURO 5 për gazra dalëse.
Në vendimin e ministrisë tutje janë theksuar edhe çmimet për këtë çështje.
Për kategoritë e vogla të automjeteve, çmimi i kësaj matje do të jetë 5 euro, ndërsa për kategoritë e mëdha të automjeteve çmimi do të jetë 6 euro./FaktePlus