Nga Siria, Iraku e vende tjera – mijëra azilkërkues në Kosovë gjatë vitit 2019
Derisa shumë të rinj të Kosovës dëshirojnë të ikin nga vendi dhe për destinim kanë vendet e ndryshme perëndimore, janë mijëra të huaj nga vende të ndryshme të botës që gjatë vitit 2019 kanë aplikuar për të fituar azilin në Kosovë.
Shumica e tyre janë të ardhur nga Siria, pasuar nga Iraku si dhe vendet e tjera të botës Arabe. Gjithë këta njerëz janë strehuar nga Qendra e Azilit në fshatin Magure të Lipjanit.
FaktePlus ka qëndruar një ditë në këtë qendër për të parë se si jetojnë azilantët.
Mirëpo, për ikjen nga vendet e tyre, banorët e kësaj qendre, nuk pranojnë të flasin asgjë. Madje shumica e tyre ia kanë frikën edhe kamerës.
I vetmi që flet është Ismail Musa, zyrtar i lartë i Qendrës për Azil, i cili ka treguar se brenda këtij viti kanë kërkuar strehim mijëra persona.
“Brenda këtij viti kemi pasur një numër shumë më të madh të azilkërkuesve se sa viteve të kaluara. Deri në këto çaste kur jemi duke biseduar i kemi pasur 1 mijë e 666 aplikues. Kryesisht numrin më të madh e kemi nga Siria me 674 aplikues, pastaj Iraku me 513, Algjerinë 107 e kështu me radhë. Kryesisht janë nga vendet e botës arabe. Zakonisht nga mosha 18 vjeçare e tutje është numri më i madh i aplikuesve, kemi edhe familje me fëmijë dhe të moshuar më pak. Arsyet janë nga më të ndryshmet që ata janë këtu si mungesa e sigurisë në vendet e tyre në ato vendet ku përfshihen nga konfliket e ndryshme”, ka thënë Musa.
Vetëm gjatë qëndrimit të ekipit të FaktePlus në këtë Qendër, Policia e Kosovës i solli edhe dy azilkërkues të rinj.
Edhe pse shumica e azilkërkuesve zakonisht qëndrojnë për pak ditë në Kosovë, Qendra e Azilit në fshatin Magure, ju ofron atyre kushtet elementare, siç janë shërbimet mjekësore, ushqim veshmbathje e shkollim.
“Shkollimi është i rregulluar me ligj, shkollimi fillor dhe i mesëm është i obliguar, këtë vit kemi fëmijë që ndjekin procesin shkollor, ku kemi fëmijë që shkojnë në mësim pra në shkollën këtu afër në fshat. Ndërkaq, edhe procesi i punësimit zakonisht deri në proces të azilit nuk kanë të drejt punësimi deri pas 6 muajsh atëherë kanë mundësinë e punësimit. Edhe të drejtat e tyre janë të afishuara janë të shtypura në broshura në 7 gjuhë”, thotë Musa.
Qendra e Azilit është e hapur nga ora 07:00 deri në orën 22:00, kurse banorët e saj pasi të pajisen me dokumentet përkatëse e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Bazuar në rregulloren dhe ligjin për azil çdo aplikues pajiset mjaft shpejt me dokumente nga institucionet e Kosovës. Ata brenda 3 dite pajisen me certifikatë dhe pas 7 dite me letërnjoftime.
Ndër të tjera në këtë qendër nuk mungojnë edhe problemet. Atje thonë se me raste të caktuara ka probleme, por që janë të rralla. Mirëpo, banorët vendas afër Qendrës prapa kamerave kanë thënë se azilantët bëjnë probleme edhe jashtë qendrës. Këtë e pohojnë edhe zyrtarët.
“Ka ndonjë rast por këto janë shumë raste të vogla por janë shumë rrallë”, thotë Musa
Si do qoftë të dhënat tregojnë se shumica dërmuese e azilkërkuesve Kosovën e shohin si vend transit. Ata në Kosovë po hyjnë përmes rrugëve legale e ilegale dhe po qëndrojnë jo më gjatë se 15 deri në 20 ditë, për të vazhduar mandej drejt vendeve perëndimore.
E në Kosovë, përveç institucioneve të shtetit siç është Qendra e Azilit në fshatin Magure të Lipjanit, ekzistojnë edhe organizata joqeveritare për të Drejtat Civile, që në shumë raste ndihmon juridikisht azilkërkuesit./FaktePlus