Nga Presidenca tregojnë kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë
Për afro pesë muaj Komuna e Podujevës ka mbetur pa zot shtëpie. Kjo për shkak se ish-kryetari, Agim Veliu e ka lënë në gjysmë këtë post, për t’u emëruar në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë “Kurti”, post ky që nuk i zgjati shumë.
E kjo i hapi rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të parin e Podujevës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte vendosur që me datën 15 mars të mbahen zgjedhjet. Por kjo u bë e pamundur, pasi më 13 mars u ndaluan mbajtja e zgjedhjeve meqë edhe Kosova sikurse gjitha vendet e botës u prek nga virusi Korona.
Por edhe pse Qeveria Kurti, shfuqizoi gjitha vendimet që kishte marrë për mbrojtjen nga koronavirusi, për mbajtjen e zgjedhjeve ende nuk është marrë ndonjë vendim se kur në Podujevë do të mund të mbahen këto zgjedheje.
Nga zyra për Informimi në Presidencë ka thënë për Agjencinë e Lajmeve Fakte Plus se vendimi do të merret varësisht nga situata me pandeminë e koronavirusit.
“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur” thuhet në përgjigjen e tyre.
Se gjithçka varet nga institucionet e shëndetit publik , e thotë edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, tha Elezi për Fakte Plus.
Kurse, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari tha se duhet të shikohet situata dhe të vlerësohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
“Për mua dhe LDK shëndeti I qytetarëve është më i rëndësishëm se sa afati i zgjedhjeve. Besoj se Presidenti do të marr vendimin e duhur për zgjedhje në Podujevë pas rekomandimit të IKSHP”, tha Rudari.
E Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në KQZ kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Podujevë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi tha se kjo parti ka filluar mobilizimin e anëtarësisë për zgjedhje.
“Ne si subjekt politik kemi dorëzuar një kërkesë në KQZ për mbajtjen e zgjedhjeve, kemi shpjeguar edhe arsyet tash me lehtësimin e masave nga qeveria dhe rënia e numrit të të infektuarve mendoj që janë krijuar kushtet. Lëvizja VV ka bërë edhe një simulim se si mund të organizoheshin zgjedhjet në kohë pandemie, tash situata është më e mirë dhe është nën kontroll. Ne kemi filluar ngadalë për mobilizimin e anëtarësisë për t’u bërë me dije se jemi afër zgjedhjeve dhe po punojmë që t’i bindim qytetarët për programin tonë qe e ndryshon qeverisjen” tha Bulliqi për FaktePlus.
Nga 13 marsi kur edhe u paraqitën rastet e para të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë janë infektuar janë 1110 persona, ndërsa 843 të shëruar.
Ndërkaq ky virus mori jetën e 30 personave.