Nga PDK thonë se Kurti ka publikuar një vendim gjysmak, gënjeu për reciprocitetin
Partia Demokratike e Kosovës i ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurtit duke thënë se i njëjti ka mashtruar për reciprocitetin. Nga partia që udhëhiqet nga Kadri Veseli i kanë përmendur Kurtit, premtimet për njohjen e diplomave në Preshevë, targat e dokumentet e udhëtimit.
Përmes një komunikate për media, nga PDK’ja kanë deklaruar se Kurti pas mesnatës ka publikuar një vendim gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë.
“Janë për keqardhje veprimet populiste e vendimet qesharake të një kryeministri të shkarkuar, i cili në ditët e fundit të tij në krye të qeverisë, ka vënë në lajthitje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe po luan me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve të Kosovës. Bilanci negativ i mashtrimeve të këtij Kryeministri të shkarkuar, vetëm disa orë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka shkelur Kushtetutën – janë pamja më e qartë e pazotësisë së tij dhe dëmit që po i bën Kosovës”, thuhet në reagim, derisa i kanë drejtuar edhe 10 pyetje për Kurtin.
“PDK-ja konsideron se kryeministri shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre. Ne ftojmë qeverinë të luaj rolin e vet kushtetues të kujdestarit veçmas në ballafaqimin me pandeminë e virusit COVID-19 dhe ndihmën emergjente ndaj ekonomisë së vendit”, shkruhet në komunikatë.