Nga kjo javë e diela ditë pushimi për të gjitha bizneset në Vushtrri
Komuna e Vushtrrisë sot ka mbajtur Diskutim Publik me përfaqësuesit e bizneseve në Vushtrri për Draft Rregulloren për Fillimin dhe Mbarimin e Orarit të Punës së Organizatave të Biznesit në Komunën e Vushtrrisë.
Sipas rregullores, e diela do te jetë ditë pushimi përveç bizneseve të kategorive të caktuara të cilat do të vazhdojnë të punojnë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se rregullorja ka për synim të vendos një rregull sa i përket orarit të punës dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve në sektorin privat që e diela të jetë një ditë pushimi .
”Qëllimi komunës është përkrahja e bizneseve e jo dëmtimi i tyre. Dy vitet e kaluara, komuna ka ndihmuar bizneset, ku përmes thirrjes publike çdo biznes ka pasur të drejtë të aplikojë dhe komuna ka mbuluar normën e interesit ndërkohë që biznesi është përkrahur me 1 milion euro mjete financiare, si dhe janë shpërndarë 160 grande për sektor të ndryshëm biznesi” u shpreh Kryetari Tahiri.
Me këtë rregullore përcaktohet fillimi dhe mbarimi i orarit të punës së bizneseve në lëmin e tregtisë, hotelerisë, zejtarisë, ndërtimtarisë dhe shërbimeve tjera në territorin e Komunës së Vushtrrisë./FaktePlus