Nga fillimi i majit, në Zvicër lejohen sportet që ushtrohen pa kontakte fizike
Këtu përfshihen sportet si, për shembull, tenisi dhe golf, por sigurisht jo rugby apo futbolli amerikan.
Duke nisur nga fillimi i majit, ushtrimi i disa aktiviteteve të caktuara sportive do të jetë përsëri i mundshëm. Këtë e ka kumtuar sot në konferencën për media, në Bernë Ministrja e Mbrojtjes Viola Amherd, në kompetencën e së cilës është edhe sporti, shkruan srf.ch.
Fokusi në këtë rast është në aktivitetet sportive në të cilat mund të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë trupor dhe ku mund të respektohen rregullat e higjienës dhe distanca sociale, transmeton albinfo.ch. Këtu përfshihen sportet si, për shembull, tenisi dhe golf, por sigurisht jo rugby apo futbolli amerikan, ka theksuar Amherd.
Ajo ka shtuar se, përveç rëndësisë për shëndetin, sporti profesional është po ashtu një faktor i rëndësishëm ekonomik. Që nga fundi i javës së kaluar, një grup pune me ekspertë të shoqatave, përfaqësues të kantoneve dhe komunave si dhe Qeveria Federale është duke punuar në një koncept për të zbutur masat aktuale, shtrënguese në sportet profesionale.