Nga AAK thonë se Kurtit kopjoi programin e Haradinajt me 15 ministri
Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ia ka kujtuar kreu të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, se modeli me 15 ministri është kopjuar nga Projektligji që është hartuar nga Qeveria Haradinaj.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se Kurti gjatë gjithë fushatës zgjedhore e ka proklamuar para popullit se do të bëjë qeveri me 12 ministri, kurse sot e ka kopjuar në Projektligjin e Qeverisë modelin me 15 ministri të cilin e ka hartuar Qeveria Haradinaj.
Tahiri ka thënë se kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptojë se përgjegjësia e fjalës është më e madhe synimet afatshkurta politike për pushtet.
“Këtë model e kam prezantuar edhe zyrtarisht me 25 shtator 2019. Sot, është dita për të uruar marrëveshjen për Qeverinë e re, por, Kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptoj se përgjegjësia e fjalës është më e madhe se synimet afatshkrta politike për pushtet”, ka shkruar Tahiri.
Ndryshe, sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëkryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.