“Nga 5 euro në 25 euro pagesë”, Ujësjellësi tregon pse u rriten faturat e ujit këtë muaj
Qytetarët e Kosovës këtë muaj janë befasuar për të keq nga Ujësjellësi.
Kompania që merret me furnizimin e ujit dhe faturimin e tij, këtë muaj u ka dërguar fatura më të larta qytetarëve të vendit.
Në FaktePlus kanë ardhur disa ankesa, ku është thënë se këtë muaj, respektivisht, faturat e muajit shtator u kanë shkuar më të larta, se ata të muajit gusht.
“ Mua këtë muaj, fatura me ka ardhur 25 euro. Kurse, fatura e muajit të kaluar ka qenë dikund 5 apo 6 euro. Çdo herë kaq kemi paguar. Kurse, kjo e fundit na ka befasuar shumë”, ka thënë një qytetar për FaktePlus.
Për këtë çështje FaktePlus ka kërkuar një sqarim nga Ujësjellësi .
Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka treguar se kjo rritje është barazim i gjendjes ngase, sipas saj, shpenzimet paraprake të panumërura, ujëmatësi në këtë muaj ka treguar një shpenzim real të konsumatorit duke arritur në një shumë më të lartë të cilën duhet ta paguajnë.
Pandemia: Qytetarët miliona euro borxh kompanisë KRU “Prishtina”
“Lidhur me ankesat e disa qytetarëve që faturat e ujit në muajt paraprak u ka shkuar 5 apo 6 euro dhe këtë muaj rreth 25 euro, kjo ka qenë barazim i gjendjes , që do të thotë ( psh. nëse në muajt paraprak u ka shkuar fatura 5 euro, realisht ata kanë shpenzuar më shumë se 5 euro) dhe në moment që është lexuar ujëmatësi në këtë muaj , aty ka pas më shumë shpenzim, sepse ujëmatësi e tregon shpenzimin real të konsumatorit.”, sqaron zëdhënësja Mjeku.
Mjeku ka treguar se për shkak të Pandemisë, në mënyrë që të mos i afrohen konsumatorit në mënyrë direkte dhe ta mbajnë distancën sociale, bazuar në rregullat e përcaktuara nga IKSHPK, nuk i kanë lexuar 2 apo 3 muaj faturat dhe e kanë marrë mesatarën e muajve paraprak.
“Poashtu, bazuar në rregulloren e ARRU-së, ne obligohemi që të i lexojmë ujëmatësit së paku një herë në 3 muaj, që i bie diku 3-4 herë brenda një viti”.
Ajo ka treguar se qytetarët janë të obliguar që t’i paguajnë faturat që u kanë shkuar tek dera.
“Normalisht që janë të obliguar të paguajnë , sepse është shpenzim i ujit nga ana e tyre. Por, po ashtu vlen të ceket se brenda pak ditëve të gjithë konsumatorët që kanë borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit MBI 100 euro, do të dërgohet te Përmbaruesi Privat”.
Zëdhënësja e Ujësjellësit ka treguar se shpenzimi mesatar mujor për një familje është rreth 15 euro.
“Ua kujtojmë se borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë e kanalizim është mbi 45 milion euro dhe vetëm gjatë periudhës së pandemisë mbi 2 milion euro”, ka thënë në fund Mjeku. /FakatePlus/.