Nga 13 të infektuarit e fundit 7 janë nga Prishtina – Ahmeti ka një porosi
Trembëdhjetë raste me koronavirus janë konfirmuar të martën. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se të martën janë shëruar katër pacientë me COVID-19, kurse numri i të shëruarve ka shkuar në 847.
Të martën janë testuar 193 mostra. IKSHPK-ja nuk ka njoftuar për vendet prej nga vijnë të infektuarit.
Por kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se shtatë raste janë në Prishtinë.
“Gjashtë prej tyre janë familjarë të një rasti të djeshëm. Ju lutemi kujdes këto ditë. Së paku maskat janë mbrojtja minimale që duhet të praktikojmë. Vazhdojmë drejt rihapjes së plotë me kujdes”, ka shkruar Ahmeti.
Gjithsej në Kosovë prej 8 shkurtit deri më 2 qershor janë testuar 15.333 persona. Numri i rasteve pozitive është rritur në 1123 kurse kanë vdekur 30 persona. Të gjithë të vdekurit kanë pasur sëmundje shoqëruese.
Numri i rasteve aktive është rritur në 246.