Neymari e kujton sërish fitoren 6:1 të Barcelonës kundër PSG-së
Tifozët e Paris Saint-Germainit nuk mbetën të kënaqur me komentet e Neymarit në fillim të kësaj vere, kur tha se triumfi 6:1 me Barcelonën kundër Paris Saint-Germainit ishte kujtimi i tij i preferuar në futboll. Megjithatë, ai e ka kujtuar atë rikthim tronditës të rezultatit edhe një herë, në një intervistë tjetër.
Neymari e ka cilësuar golin e fitores, të shënuar nga Sergi Roberto, si golin më të rëndësishëm në të cilin ai ka marrë pjesë, transmeton Gazeta Express.
“Goli më i rëndësishëm në atë ndeshje ishte ai i Sergi Robertos. Ai ishte goli që nga dërgoi në fazën e radhës. Ai gol do të mbetet në histori”, ka thënë Neymari në një intervistë të dhënë për DAZN.
“Jam i lumtur që unë e asistova. Goli i tij ishte i veçantë dhe e çmendi të gjitha Camp Noun nga kënaqësia. Ai ishte goli më i rëndësishëm”.
“Sa i përket emocioneve dhe entuziazmit të tifozëve, ai gol ishte njëri ndër golat më të rëndësishëm në të gjithë historinë e Barcelonës”.
Pasi Barcelona kishte pësuar disfatë me rezultat 4:0 në ndeshjen në “Parc des Princes’ kundër Paris Saint-Germainit, katalonasit u kthyen në “Camp Nou” në kërkim të një mrekullie.
Pikërisht një mrekulli i priti në shtëpi, pasi që Barcelona e bëri atë që konsiderohej e pamundur: Ia shënoi gjashtë gola parisienëve dhe u kualifikua në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, në vitin 2017.
Këto komente të Neymarit vetëm sa i shtojnë spekulimet se ai dëshiron të kthehet patjetër në Barcelonë, pasi që gjatë javëve të fundit është bërë e qartë se ai dhe klubi francez nuk dëshirojnë ta vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje.