Nexhmi Muçiqi: Votën nga ju e kërkoj vetëm një herë në jetë
Në praninë e personaliteteve të rëndësishëm të Shoqatës Çamëria në Kosovë, Nexhmi Muçiqi, njëherësh edhe kryetar i kësaj shoqate, ka mbajtur një tubim në Sekiraqë të Podujevës, ku edhe kërkoi votën nga qytetarët për herë të parë.
Pas tri jave takime me qytetarët dhe shpalosjen e programit të partisë së tij për Podujevën, Muçiqi mbajti fjalim ku edhe u shpreh shumë i kënaqur me numrin e qytetarëve që është takuar dhe ka marrë mbështetje.
“Unë kam dashtë me bë këtë votim, që ta kërkoj votën kësaj radhe, sepse unë nuk do të dalë më në votime. Unë do të dalë vetëm një herë, vetëm kësaj radhe dhe më nuk do të më shihni duke e kërkuar votën”, ka thënë ai.
Muçiqi, duke u shprehur shumë bindshëm, tregoi se dalja e tij në votime dhe kërkimi i besimit nga ana e qytetarëve është vetëm një herë, ngaqë ai nuk lejon assesi të kërkojë votën më tutje po nuk dëshmoi fjalët e tij me punë.
“Unë e e dua besimin vetëm një herë, vetëm një herë në jetën e juaj. Dhe, po nuk punova, po nuk punova që ju me më votu tjera herë, mu pa dalë në fushatë, atëherë më mirë mos qofsha”, është shprehur Muçiqi.
Ai përmendi marrëdhëniet me SHBA, për të cilën tha se Kosova ka nevojë shumë për miqtë ndërkombëtarë, dhe assesi të mos ketë politika të cilat mund t’i cenojnë marrëdhëniet me ta.