Nesër seanca për shpërndarjen e Kuvendit, ky është parashikimi i analistëve
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nesër pritet të mblidhen në seancën e fundit për këtë mandat, pasi siç është planifikuar edhe pritet shpërndarja e kësaj legjislature.
Tashmë në Kryesi të Kuvendit janë dorëzuar 93 nënshkrime të deputetëve për këtë seancë.
Që nesër (e enjte), do të ndodhë shpërndarja e kësaj legjislature e thonë edhe analistët politikë në vend. Madje, ata vlerësojnë se nesër nuk pritet ndonjë kalkulim tjetër pos shpërndarjes, deri sa të gjitha partitë kanë rënë dakord që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, shkruan FaktePlus.
Megjithëkëtë ata thonë se duhet të pritet deri nesër, pasi që sipas tyre në Kosovë shpesh në momentet e fundit ndodhin manovra politike.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për FaktePlus se kalkulimi i vetëm që mund të ndodhë nesër është vetëm nëse ka tendenca të konsumohet mandati i kësaj qeverie.
“Kalkulimi i vetëm mundet me ndodhë vetëm nëse ka tendenca me u konsumu mandati kushtetues i Qeverisë që kanë mbetur edhe dy vite të tjera, pra kalkulime të tjera nuk janë të mundshme për faktin se nuk ka hapësirë tjetër, ose shpërndahet Kuvendi ose bëhet një qeveri me një formulë të re”, ka thënë ai.
Murati, thotë se nëse dikush në seancën e nesërme merr ndonjë veprim tjetër, jashtë asaj që është planifikuar kjo do të ketë kosto të lartë politike.
“Sipas deklarimeve të grupeve parlamentare të gjitha janë shpreh në favor të zgjedhjeve dhe nëse dikush e procedon një veprim tjetër do të kishte kosto goxha të lartë politike për faktin se qytetarët tashmë janë duke pritur të shkojnë në zgjedhje dhe nuk do ishte aspak serioze nëse del një subjekt politik dhe deklaron diçka tjetër dhe sillet ndryshe. Mirëpo, në Kosovë shpesh herë kanë ndodhë edhe manovra politike të cilat kanë qenë të paparashikueshme dhe deri në moment të fundit nuk bën me u përjashtu asnjë opsion”, ka deklaruar ai.
I mendimit të njëjtë është pothuajse edhe analisti tjetër, Ramush Tahiri.
Ai thotë se zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor.
“Të gjitha partitë njëzëri janë pajtuar që nesër të marrin pjesë në seancë dhe të ndodhë shpërndarja e Kuvendit. Por, pavarësisht se a ndodhë nesër aspo pasnesër shpërndarja e kësaj legjislature zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor”, ka deklaruar Tahiri për FaktePlus.
LEXO EDHE: Plani për seancën e nesërme kur pritet të shpërndahet Kuvendi
Legjislatura e gjashtë nga organizatat që merren me monitorim të punës së Kuvendit po vlerësohet si më e dobëta që ka pasur deri më tani Kosova.
Sipas këtyre organizatave Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur të përmbush as 20 për qind të planit për këtë vit.
Duke u bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, projektligjeve të bartura nga viti paraprak dhe nga nismat ligjore që i ka ndërmarrë Kuvendi për këtë vit janë paraparë për shqyrtim 144 projektligje. Për këtë sesion Kuvendi ka arritur t’i miratojë 28 ligje ose rreth 19% të planifikimit. Ndërkohë në komisionet parlamentare në procedurë për shqyrtim kanë mbetur edhe 45 projektligje (31%), ndërsa 71 projektligje (50%) nuk janë përgatitur ende./FaktePlus