Nesër protestohet, kolegët i dalin në krah mësueses që u therr me thikë
Dy ditë më parë në shkollën Fillore “7 Marsi” në lagjen Kalabria të Prishtinës një nënë ka therur tri herë me thikë mësuesen-eduktore të kësaj shkolle.
Në përkrahje të mësueses Vlora Paci 49 vjeçare kanë dalë të gjitha institucionet shtetërore, ndërkaq kolegët e saj në shenjë revolte nesër do të protestojnë.
Siç mëson Agjencia e Lajmeve FaktePlus, protesta do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:30, e protestës do t’i bashkohen edhe prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimet në këtë shkollë.
“Nesër do të protestojmë për të shprehur revoltën tonë për atë çka i ka ndodhur mësueses. Protestës do t’i bashkohen edhe prindërit e fëmijëve”, deklaroi një punonjës i shkollës.
E përveç protestës nesër kolektivi i shkollës do të përcaktohet se cilët do të jenë hapat që do të ndërmarrin lidhur me rastin në fjalë dhe dukurinë e dhunës ndaj mësimdhënësve.
Ndërkohë që edhe përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do t’i bashkohen protestës së kolegëve të mësueses së therur.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se medoemos që do ta përkrahin këtë protestë dhe se kjo është edhe për të shprehur shqetësimin e tyre se shkollat janë bërë të pasigurta.
“Me siguri dikush nga stafi ynë do t’i bashkëngjitet. E përkrahim këtë protestë, sepse po shihet se edhe ambientet shkollore nuk janë më të sigurta dhe e keqja e kësaj është se po janë vazhdimisht të rrezikuara edhe nxënësit, por edhe mësimdhënësit gjë që institucionet në të ardhmen ish dashur tw bëjnë një zgjidhje që të dy palët të ndihen të sigurt nga kërcënimet dhe sulmet që vijnë nga jashtë”, tha Jasharaj.
Kujtojmë që Policia e Kosovës po atë ditë kur ndodhi therja me thikë, të hënën, ka arrestuar nënën B.D 38 vjeçe, e cila kreu këtë vepër në sy të fëmijëve.
D.B do të dalë sot para Gjykatës.
Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka.
“Sot do të dalë para gjykatës”, ka thënë Beka.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës vetëm në dy vitet e fundit kanë ndodhur mbi 1 mijë incidente nëpër shkollat e vendit ose përreth tyre./FaktePlus