Nesër në Bruksel vazhdojnë bisedimet teknike
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet në nivelin teknik të enjten, më 17 shtator në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel.
Këtë e ka bërë të ditur e ashtuquajtura Zyrë Serbe për Kosovën, raporton Radio Kontakt Plus.
Raportohet se delegacioni nga Beogradi, i udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën do të diskutojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe çështjen e pronës.
Takimi i fundit në nivelin e liderëve ishe mbajtur më 7 shtator në mes të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së. Rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit ndodhi më 16 korrik të këtij viti pas një periudhe të gjatë.
Pas takimit të 7 shtatorit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se në dialogun e zhvilluar mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.
Para takimit të Bruskelit, pati takim edhe në Washington më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja ekonomike në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën udhëheqjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.