Nesër fillon mësimi për klasat e nënta – këto komuna konfirmojnë respektimin e vendimit
Që nga dita e hënë, më 8 qershor, me vendim të Ministrisë së Arsimit, fillon mësimi plotësues për të gjithë nxënësit e klasëve të nënta.
Ky vendim i cili është marrë para një jave nga Ministria e Shëndetësisë me në krye ish-ministrin Arben Vitia, duket se tregoi pajtueshmëri edhe te ministri i tanishëm, Armend Zemaj, 9 cili në konferencën e fundit për media, lidhur me vendimet e reja për masat parandaluese ndaj Covid-19, nuk deklaroi për ndonjë ndryshim sa i përket kësaj çështjeje.
Për këtë hap që do të hedhet që nga nesër, kur edhe do të fillohet mësimi për klasët e nënta, shumë komuna kanë bërë të ditur se janë përgatitur në lidhje me realizimin e këtij mësimi.
Ndër to është komuna e Gjilanit, kreu i së cilës ishte i pari i cili bëri të ditur se të hënën do të vijojnë mësimin plotësues nxënësit e klasëve të nënta për t’u përgatitur më pas për testin e arritshmërisë, shkruan Metro.
“Përpos çerdheve që janë funksionalizuar, të hënën do të vijojnë mësimin plotësues nxënësit të klasëve të nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë i cili mbahet me 23 qershor, ndërkaq më 4 korrik mbahet testi i maturës. Po punojmë shumë që ta përmbyllim vitin shkollor dhe të përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor”, tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Bordit të drejtorëve të shtunën.
Edhe nga Drejtora Komunale e Arsimit të Komunës së Mitrovicës, kanë bërë të ditur se institucionet edukativo-arsimore në këtë vend janë duke bërë përgatitjet përfundimtare për rifillimin e procesit mësimor që nga dita e nesërme.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Egzon Jashari, njofton se shkollat janë të gatshme për pritjen e nxënësve të klasëve të 9-ta, në rikthimin e tyre dy javor me qëllim të realizimit të përgatitjeve përfundimtare për mbajtjen e testit të arritshmërisë, i cili pritet të mbahet me datë 23 qershor.
“Shkollat kanë bërë përgatitjet përfundimtare sipas udhëzimeve të pranuara nga MASHTI dhe IKSHP, nxënësve të klasëve të 9-ta ju urojmë rikthimin e mbarë të tyre në bankat shkollore dhe shumë suksese në testin e arritshmërisë” potencon drejtori Jashari.
Nga ana tjetër nga Komuna e Istogut thonë se tashmë kanë bërë pergatitjet në të gjitha shkollat për realizimin e këtij mësimi, i cili do t’iu shërbejë nxënësve që të përgatiten për testin e arritshmerisë.
“Mësimi do të mbahet në klasë me nga 15 apo me pak nxënës, për shkak të respektimit të distancës. Të gjitha informatat e detajuara nxënësit do të mund t’i marrin nga shkollat përkatëse”, thuhet në njoftimin e komunës.
Objektet shkollore sot janë dezinfektuar dhe do të pastrohen, pas çdo dite mësimi, me dezinfektues, kurse shkolla duhet të respektojë të gjitha masat e marra në udhëzuesin e dhënë nga MASHTI.
Ndërkaq, nga komunat tjera si ajo e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Ferizajt, e madje edhe Vushtrrisë e cila së fundmi është bërë vatër e virusit korona për shkak të rasteve të reja që po shënohen çdo ditë në këtë vend, nuk kanë njoftuar ende lidhur me respektimin e vendimit të MASHTI’it, gjë që pritet të bëhet në çdo moment.