Nesër 22 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe mbi familjen Jashari
Nesër bëhen 22 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe mbi familjen Jashari.
Në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari, Komuna e Skenderajt bashkë me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nesër, me datë 22.01.2020, duke filluar nga ora 10:00, do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt që në krye të saj ka Bekim Jashari.
Kujtojmë, që në mëngjesin e hershëm të 22 janarit të vitit 1998, njësitë elite policore serbe të armatosura kishin lëvizur nga Fabrika e Municionit dhe Gjuetisë drejt familjes Jashari, pasi shërbimi sekret serb me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës, duke shënuar si pikën më të rrezikshme kullën e Jasharëve në Prekaz.
Pikërisht për arsyen se trimat e Jasharëve ishin të betuar për t’u flijuar për atdhe dhe asnjëherë për të mos lejuar sundimin e pushtuesit.
Ky sulm nuk ishte sulmi i parë në familjen Jashari. Por, as i fundit. Sepse Jasharët kishin përjetuar sulmin e parë dhe forcat okupuese ishin të njoftuara me rezistencën e pathyer nga familja Jashari, kjo rezistencë e pathyer do të vazhdonte edhe më 22 janar 1998, sepse të pathyer do të mbeten gjithmonë.
Kjo datë njihet si rrethimi i dytë i forcave okupuese mbi familjen Jashari, pra sot po bëhen dy dekada nga sulmi i dytë i forcave pushtuese serbe në familjen Jashari. Cilat ishin detajet e 22 janarit 1998?
Dy dekada më parë pikërisht me këtë datë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, por forcave okupuese serbe që kishin cak këtë familje iu dolën në rezistencë Shaban dhe Hamës Jashari së bashku me nipa e mbesa. Pas disa orë luftime dhe rezistencë, forcat pushtuese detyrohen të tërhiqen, ashtu siç u tërhoqën në sulmin e parë kokë ulur, madje tashmë ishte hera e dytë që po humbnin betejën.
Në vendosmëri për të mos lejuar armikun të shkelë në këtë tokë gjatë këtij sulmi kishin mbetur të plagosura Selvete Jashari, vajza e Hamzës, e cila, pas marsit të përjetësisë, do të bëhej dëshmore dhe Ilirjana Jashari, vajza e Rifatit. Sulmet mbi familjen Jashari nuk do të ndaleshin. Do të vazhdonin përsëri më 5, 6 dhe 7 mars, për të shënuar gjurmë unike dhe të pashlyera përjetësisht.