Nëse sot miratohet rishikimi i buxhetit, ja kur jepen pagat 170 euro
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar rishikimin e buxhetit.
Por, kur do të ekzekutohen pagat 170 euro në rast se miratohet sot rishikimi i buxhetit?
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami thotë se pasi ligji të kalojë në Kuvend, ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi, ku presidenti i Kosovës ka tetë ditë afat për ratifikim, pas së cilës mund të fillojë ekzekutimi i masave nga pakoja emergjente fiskale.
“Secili ligj pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ose tetë ditë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurtër… Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, por varet nga votimi në seancë dhe gjithashtu nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si ministri dhe thesari është i gatshëm të fillojë ekzekutimin e pagesave”, tha Bajrami.
Afati i publikimit në Gazetën Zyrtare është tetë ditë pune. Kështu që edhe në këtë javë nuk pritet të ketë zbatim të masave ose paga 170 euro për punëtorët.