Nënpresidenti i ShBA-së, Mike Pence, e merr vaksinën kundër koronavirusit
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, të premten në mëngjes u vaksinua me vaksinën kundër koronavirusit.
Bashkë me të u vaksinuan edhe bashkëshortja e tij, Karen Pence, dhe kryekirurgu Jerome Adams, shkruan CNN.
Ata u informuan se pas tri javëve duhet të vaksinohen me dozën e dytë dhe u paralajmëruan se për një kohë mund të kenë pezmatim në dorë.
“Nuk ndieva asgjë. Ju lumtë dhe ne e çmojmë shërbimin tuaj ndaj vendit”, tha Pence pasi e mori vaksinën.
“Populli amerikan mund të besojë. Kemi një dhe, ndoshta brenda disa orëve, dy vaksina të sigurta të koronavirusit për ju dhe familjen tuaj”, shtoi ai.
Në këtë ceremoni nuk mori pjesë Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pavarësisht faktit që ngjarja ndodhi brenda kompleksit të Shtëpisë së Bardhë.