Nënkryetari i LDK-së sqaron kur vendoset e kush do të jetë ministër në Qeverinë Hoti
Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi dha emrin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Kosovës dhe ai u dekretua nga presidenti, tashmë ka caktuar edhe seancën për votimin e Qeverisë se re, por ende nuk ka treguar emrat e zyrtarëve të saj që do të jenë ministra.
Gjatë ditës së të hënë Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mbajtjen e seancës për të mërkurën në ora 11:00. Seancë kjo me të vetëm një pikë të rendit të ditës, votimin Qeverisë me të nominuarin Avdullah Hoti.
Derisa ka mbetur vetëm edhe 24 orë nga mbajtja e kësaj seance, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndryshe prej partnerëve të koalicionit të saj, ende nuk kanë vendosur për emrat e ministrave në Qeverinë Hoti.
Mirëpo, sot pasdite LDK do të mblidhet për të vendosur rreth emrave të ministrave.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se numri më i madh i ministrave që kanë qenë në kabinetin e Qeverisë Kurti do të vazhdojnë të jenë edhe ministra në Qeverinë Hoti.
“Ende nuk është vendosur për emrat e ministrave. Numri i ministrive veç dihet, ashtu siç jemi marrë vesh me partneret e koalicionit. LDK pasdite do të ketë mbledhje lidhur me saktësinë e politikave kadrovike që përfshinë emrat e ministrave eventualisht, por nuk do të ketë shumë punë për shkak që numri më i madh i ministrave do të vazhdojnë me qenë në kabinet pasi kanë treguar performancë të mirë në kabinetin e Qeverisë së zotit të Kurtit”, tregoi Haziri.
Haziri nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe Agim Veliu i cili ishte shkarkuar nga kryeministri në detyrë e që mbante postin e të parit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës të jetë ministër edhe në këtë qeveri.
E ditëve të fundit ka zëra se ka disa pakënaqësi brenda deputetëve të koalicionit të ri dhe sidomos deklarata e mbrëmshme e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala dha “alarmin” dhe tashmë ka ngritur edhe rrezikun që në seancën e së mërkurës të mos mund të votohet Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.
Por, Haziri ka hedhur poshtë zërat se nuk janë të mjaftueshëm numrat për formimin e Qeverisë Hoti.
Haziri thekson se LDK i ka numrat për të formuar Qeverinë përfshirë këtu edhe mbështetjen e deputetëve të AKR-së.
“Numrat për votimin e Qeverisë Hoti i kemi. Shumica e sigurt parlamentare janë për me votu qeverinë është për mandatin që pritet me udhëheqë LDK-ja, me AAK-në, Nismën, Lisën Serbe, minoritetet turke, boshnjake, rome, shkali, egjiptian dhe me mbështetjen e deputetëve të AKR-së”, tha Haziri për FaktePlus.