Në zonën ekonomike të Vitisë do të investohen 1.8 milionë euro
Zëvendëskryeministri në detyrë, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kanë vizituar Parkun e Biznesit në Budrikë të Vitisë.
Limaj tha se ndërtimi i kësaj zone ekonomike do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të kësaj ane.
“Së bashku me ministrin Shala erdhëm t’i vizitojmë punësimet në këtë impiant ekonomik është një zonë ekonomike që besoj se me përfundimin e saj do jetë një puls i mirë i këtij rajoni”.
“Ministri Shala po bën një punë të shkëlqyeshme me krijimin e parakushteve në biznes dhe krijimi i këtyre parakushteve është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet të ndjekim nëse duam të hapim vende të reja pune. Kjo do të shtojë buxhetin e Komunës Vitisë dhe do shton numrin e punësimit dhe i jep një puls të zhvillimit ekonomik zonës së Vitisë dhe Gjilanit”.
Shala tha se investimi në këtë zonë kap vlerën e 1.8 milionë eurove.
“Sot bashkë me Z. Limaj ishim për ti pa punimet që janë duke u zhvillu në zonën e punimeve në Viti, investim ky prej 1.8 milionë euro e kjo me qëllim që ti krijojmë parakushtet e të bërit biznes në këto zona”.
Ai ka paralajmëruar se shumë shpejtë punimet do të fillojnë edhe në zonën ekonomike në Malishevë.
“Shumë shpejt do fillojmë me zonën ekonomike në Malishevë që do jetë një zonë ekonomike që do jetë në dispozicion edhe për zonën ekonomike të diasporës”.
“Vonesa nuk ka gjithçka po shkon në bazë të afateve kohore të parapara dhe investimi është afër 1.8 milionë euro”, ka thënë Shala.