Në vend të polemikës me Blerim Latifin
I ashtuquajturi Fjalor Enciklopedik i Kosovës, u bë temë debatesh e polemikash të shumta jo vetëm on-line dhe nëpër televizione, por edhe në tavolina kudo gjatë diskutimeve e bisedave të lira të njerëzve.
Ajo që më bëri përshtypje është se rreth këtij fjalorit debati u kanalizua në tri drejtime.
E para, për emrat
Përshtypje më la diskutimi se kush është përfshirë në këtë fjalor e kush jo. Kush është dashur të jetë e nuk është. Mandej kush është aty, e që nuk është dashur të jetë. Si dhe a është antikombëtar apo jo,
E dyta, a kemi nevojë për Enciklopedi “Hard Copy”
Po ashtu, përshtypje më la diskutimi se a kemi nevojë për një enciklopedi “Hard Copy” në kohën e zhvillimit kaq të hovshëm të teknologjisë. Pra, një fjalor në letër për të cilin u shpenzua një kosto e trishtueshme financiare (rreth gjysmë milioni eurosh) nga taksapaguesit e varfër të Kosovës, por që janë shfrytëzues mbase me përqindjen më të madhe në rajon të “smart teknologjisë”.
Dhe e treta, nepotizmi dhe korrupsioni i këtij fjalori
E kuptoj debatin e shumanshëm të zhvilluar, dhe këtë do ta kuptonte edhe një mendje mesatare, duke u mbështetur veç në një thënie që e kam lexuar shumë kohë më parë, se “njerëzit e mëdhenj diskutojnë ide, mesatarët ngjarjet, dhe të vegjlit i diskutojnë emrat”. Natyrisht se profesor Blerim Latifi i takon asaj të parës dhe diskutimin e ka shtrirë për idenë.
Kjo është korrekte, por ajo që konsideroj se nuk është korrekte nga ana e tij, është arma që ai përdorë, pra artileria e rëndë që ai përdor përballë një armatimi të vjetër “relikti intelektual” (të shkelur nga koha). Nuk është korrekte.
Blerimi nuk ka dilemë, se a duhet të kemi enciklopedi të printuar apo jo. Pra, ai s’ka dilemë se nuk na duhet enciklopedi në këtë formë.
Kush është ai, apo sa janë ata që shkojnë e i “thajnë” 50 Euro, që të kenë në raft dhe shfletojnë këtë enciklopedi “të mallkuar” që hëngri gjithë ato para, dhe pse na duhet?
Për këtë Blerim, me ta duhet të flasësh më thjeshtë dhe më qartë.
Ndoshta Blerim ke dëgjuar një shaka që po qarkullon këto ditë në qytet. Njerëzit me telefona të mençur në duar po pyesin njëri tjetrin “a e keni ble atë librin e trashë që e ka botuar ajo Akademia ku mosha mesatare e anëtarëve të saj është 100 vjeçare?”.
Blerim (më fal që po të drejtohem në emër), gabove kur Akademisë i fole për platforma të avancuara digjitale, po harron Blerim çfarë Akademie kemi e çfarë anëtarë ka ajo Akademi.
Blerim, shumicës prej atyre anëtarëve, unë u’a lakmoj veç moshën.
Ju profesor Blerim Latifi , në shkrimin tuaj keni përmendur enciklopeditë si: Collier’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana dhe Encyclopedia Britannica, e platforma tjera digjitale.
Unë ju them se tema të rënda janë këto për akademinë tonë, sepse po harron Blerim se në akademi shkruajnë ende me makina të shkrimit të shekullit të kaluar, e besa disa edhe me dorë.
Në atë Akademi puna ditore është të merren njerëz nëpër gojë, atyre iu është ndalë koha kaherë.
Prof Blerim, në Statutin AShAK-ut, ekziston një nen, se vetëm institucionet publike kanë të drejtë të nominojnë anëtarë. Non sense, këto janë relikte të kohës së kaluar, të njëjta sikur makinat e shkrimit “Triumph Durabel” e vitit të largët 1939.
Anëtarët e Akademisë i nderuar profesor, kanë rrogat (shpërblimet) e majme, por dyshoj shumë, se e dinë nga vijnë ato para. Mbase mendojnë që Shteti ua ka siguruar, e nuk e dinë ku i merr shteti ato para për shpërblimet e tyre.
Dyshoj shumë, se ata e dinë që nga sektori privat i marrin ato shpërblime.
Edhe në zonat më të thella të Kosovës, ka depërtuar Teknologjia, ndërsa Akademia ka mbetur institucioni më i prapambetur në Kosovë, e do të duhej të ishte e kundërta.
Është fatkeqësi që shumë anëtarë të saj nuk e përdorin as kompjuterin, nuk flasin gjuhë të huaja (përveç gjuhës serbe), dhe gjithë ditën e lume shikojnë e merren me punët e huaja.
Ata përgojojnë gjithë ditën. Flasin e mundohen të përgojojnë intelektualë që kanë depërtuar në botë, intelektualë të cilët i nderon e gjithë bota, (punë e madhe, çka di bota, thonë gjyshërit e AShAK-ut).
Si i vogël që jam, tash po dalë prapë tek emrat
Punë e madhe që në këtë Fjalor Enciklopedik nuk është Bajram Rexhepi, ATY është Mehmet Kraja.
Punë e madhe që në këtë fjalor nuk është njëra nga gazetaret më të njohura të Kosovës në botë, (S.H), pasi ATY është shëmbëlltyra e saj Garentina Kraja.
Në këtë fjalor i dashur profesor, nuk është as njëri ndër aktorët që aktualisht është më me famë në rajon (I.T), por punë e madhe, nuk është as njëri ndër regjisorët më të shpërblyer në Kosovë (K.S), prapë punë e madhe edhe kjo, sepse ATY nuk mungon dhe rri stoikisht e bija e babës Arzana Kraja.
Në fjalorin rreth gjysmë milioni eurosh, nuk është gjetur vend as për Fazli Grajçevcin, e për rastësi këtë vit ishte 50 vjetori i rënies së tij, sikundër që nuk janë edhe shumë patriotë, gazetarë, dhe poet ndër më të respektuarit sot në botë.
Po ashtu, në mbi 1800 faqe të këtij fjalori nuk u gjet vend edhe për dëshmorë, heronj, por në vend të tyre n’ballë të oxhakut rri dhëndri i Mehmetit.
Mandej mbase jo rastësisht “Bota e re” nuk është aty, sepse këta i takojnë të kaluarës.
Krejt në fund të vogëlsisë time i nderuar prof. Latifi, s’po mundem mos të flas edhe për miqtë, vëllezërit, nipat e mbesat e stafit që ka punuar Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.
Fati në këtë fatkeqësi (siç do thoshte Froidi) është se ky fjalor një ditë mund të hyjë në librin e rekordeve Gines, si “fjalori më i korruptuar në botë”.
Për ta mbyllur, po ju kthehem edhe njëherë argumenteve që ju keni shtruar se a na duhet në këtë kohë, një “Hard Copy” apo fjalor digjital.
Ky soj akademikësh, nuk bindet se nuk duhet ky lloj i enciklopedisë më, dhe se tani është një makinë, jo e shkrimit, por që është makina më e fortë e kërkimit që quhet “Google”. Që sot bota enciklopeditë i bënë për Ëikipedia etj.
Blerim, tema të rënda janë ato për akademinë tonë.
Edhe pse betejën tënde e kuptoj dhe e përkrahi edhe unë, e di që do të jetë betejë e rënd, sepse ata nuk lëshojnë pe.
Mbase duhet t’ua kujtojmë që enciklopedia e shtypur disa kilogramësh, dhe e kushtueshme disa qindra mijëra euro, është e vlefshme njësoj, po aq sa lëvrimi i tokës me kuaj tash në kohën e industrializimit.
Kur flas për Akademinë, asnjëherë nuk mendoj për të gjithë aty. Sepse aty janë edhe Arsimi e Xhyljeta, që nuk bëjnë pjesë për atë që fola, assesi as Frashëri, Kujta e Bardhi, dhe në asnjë mënyrë kryetari, i cili është i pajisur me dije shkencore dhe flet edhe gjuhë të huaja, e krejt në fund e as ndonjë tjetër pak më i rrallë, emri i të cilit s’po më bie në mend.
Ne po flasim për Teknologji. Njeriu kur arrin në një moshë të caktuar, nuk ja pranon askujt dijen, përveç fëmijëve të vet (ndaj pjellës së vet, ka reagim instiktiv edhe kafsha, e lëre më “intelektuali”).
“Shkalla e parë marrëzisë është të mendosh se je i mençur”, mu kujtua kjo thënie, kurse shkalla superiore e marrëzisë është të mendosh se fëmijët i ke të mençur. Duhet kuptuar, fëmijë kemi të gjithë. (Çikat e babit, nuk bënë babi enciklopedi pa ju).
Blerim, gjysmë milioni shkoi, nuk kthehen më. Por të punojmë që mos të ndodh dëmi tjetër. Dëgjova që kanë paralajmëruar ta bëjnë edhe një tjetër “Enciklopedi”!
Për mentë që i kanë, ata edhe e bëjnë!
Më fal Blerim, më ke “zhgënjyer”.