Në prag të zgjedhjeve, BE ka një kërkesë për institucionet e Kosovës
Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç që u rrëzua Qeveria Hoti, u bë edhe një hile tjetër.
Sipas këtij aktgjykimi personat që kanë aktvendim të formës së prerë, janë shpallur fajtor dhe gjykata i ka shqiptuar dënim plotësues nuk kanë të drejtë të garojnë në zgjedhje.
“Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që donë të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”, thuhet në aktgjykim.
Ky aktgjykim drejtëpërdrejt ia ndalon kandidimin, kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Pasi filloi procesi i certifikimit, partitë politike dërguan në KQZ listat zgjedhore, mirëpo jo të gjithë u certifikuan.
Nga të gjithë kandidatët, 46 nuk u certifikuan nga KQZ, që kishte për bazë raportin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Një prej tyre ishte Albin Kurti.
Pavarësisht këtij vendimi, Kurti tha se do të kandidojë, raporton Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Pas vendimit të KQZ- së, partitë dërguan ankesa në PZAP, vendimi i të cilit ishte i njëjtë me të KQZ- së.
Opsioni i radhës është Gjykata Supreme. Deri më tani janë dërguar pesë ankesa nga partitë politike. VV dhe AAK janë dy partitë që e kanë bërë ankesa në Supreme.
Për të marrë një vendim për moscerifikimin ose certifikimin e kandidatëve me probleme ligjore, Supremja ka kohë vetëm tri ditë.
Në lidhje zgjedhjet dhe moscertifikimin e kandidatëve, FaktePlus ka kërkuar koment nga Bashkimi Evropian.
Ana Pisonero, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, ka thënë që BE pret nga institucionet e Kosovës të organizojnë zgjedhje kredibile, gjithëpërfshirëse dhe transparente në pajtim me standardet evropiane.
“Ne presim që institucionet e Kosovës të organizojnë zgjedhje kredibile, gjithëpërfshirëse dhe transparente në pajtim me standardet evropiane.”, ka thënë Pisonero për FaktePlus.
Pisonero tha se procedurat parazgjedhore lënë hapësirë për ankesa, mirëpo është e rëndësishme që institucionet e pavarura ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.
Mirëpo pyetjes së redaksisë së FaktePlus se si e komentojnë qëndrimin e ish-kryeministrit Kurti për të kandiduar pavarësisht vendimit të Kushtetueses, Pisonero nuk i është përgjigjur.
“Procedurat parazgjedhore, përfshirë edhe certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces e sipër. Këto procedura janë të përcaktuara sipas ligjit dhe lënë hapësirë për ankesa. E rëndësishme është që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse gjyqësore të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.”, shtoi ajo.
Pisonero tregoi edhe se si do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Për dallim nga zgjedhjet tjera, këtë vit BE- ja nuk do të dërgojë Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve për shkak të afatit të shkurtër kohor.
“Si rrjedhojë e afatit të shkurtër kohor, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme që Bashkimi Evropian të sjellë Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mirëpo ne do të dërgojmë Misionin e Ekspertëve për Zgjedhje që të mbështes zgjedhjet kredibile, gjithëpërfshirëse dhe trasnsparente.”, tha Pisonero.
Në fund, Pisonero foli edhe për përkushtimin e BE- së për zgjedhjet në Kosovë prej vitit 2013 e tutje.
Ajo tha se Bashkimi Evropian ka treguar përkushtim të plotë në mbështetjen e zgjedhjeve lokale e qendrore në Kosovë duke dërguar ekipet qysh prej vitit 2013.
“Bashkimi Evropian ka lëshuar një numër rekomandimesh dhe vazhdon t’i bëj apel të gjithë partnerëve t’i ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të sigurohet procesi zgjedhor.”, tha ajo për fund.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, si pasojë e rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese. Në këto zgjedhje janë tre kandidatë për kyeministër dhe dy për president.
Albin Kurti, Enver Hoxhaj dhe Avdullah Hoti janë kandidatë për kryeministër. Ndërsa Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj janë kandidatë për president./FaktePlus/