Në Poloni, qytetarët janë në gjendje shoku

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thirrur sot në Bruksel një takim urgjent me ambasadorët e vendeve të aleancës rreth sulmit të së martës në një fshat polak në kufi me Ukrainën, ku mbetën të vrarë dy persona. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se nuk duket qe raketa të jetë hedhur nga Rusia.
Në Varshavë dhe kudo në Poloni, njerëzit janë ende në një gjendjeje shoku që përfshiu vendin pas sulmit të djeshëm, kur një raketë e prodhimit rus, siç është verifikuar deri tani, goditi fshatin lindor Przhvuduv në kufi me Ukrainën. Sot gjithsesi është një gjendje më e qetë, por aq kohë sa qeveria thotë se ende nuk është verifikuar asgjë se nga ka ardhur raketa, e cila nga hetimet e para në vendin e ngjarjes del se është një raketë S-300 e prodhimit rus.
Ajo që kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, po ua përcjellë qytetarëve është që të jenë të qetë sepse situata po qartësohet. Një shtytje drejt kësaj qetësie ia ka dhënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se nuk ka gjasa që të jetë një sulm i qëllimshëm rus.
Gjithashtu hetimet e para tregojnë që raketa për nga preciziteti nuk mund të jetë nga Deti i Zi, ku është e vendosur një pjesë e artilerisë ajrore ruse.
Sot ka një përqendrim më të madh të forcave ushtarake polake në këtë zonë, por gjithashtu edhe të forcave të tjera të NATO-s, që po hetojnë sulmin që mori jetën e dy personave.
Por, në përgjithësi qeveria polake duket se i ka marrë të gjitha masat e sigurisë në këtë zonë. Mediet raportojnë sot që ka një prezencë të shtuar ushtarake dhe është vendosur një pjesë e mbrojtjes ajrore.
Nuk janë raporte krejt të konfirmuara nga ana zyrtare, por tregojnë që aleatët e NATO-s, Polonia është një nga vendet anëtare të NATO-s dhe është vendi i parë në kufi me Ukrainën.
Gjithsesi vlerësimet e para këtu në Varshavë dhe jashtë, tregojnë që konflikti në Ukrainë ka arritur goxha një pikë të rëndësishme.
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbledhur sot në Bruksel ambasadorët dhe pritet më vonë të tregojë se cila do të jetë përgjigja e NATO-s bashkë me Poloninë , si anëtare, rreth këtij rasti.