Në mesin e shumë të këqijave – Efekti pozitiv që solli karantina dhe vetizolimi në Kosovë
Që nga 13 marsi kur edhe u regjistrua rasti i parë me koronavirus, Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit, duke bërë kështu kufizime të aktiviteteve ekonomike e deri tek lëvizja e qytetarëve.
Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, ka ndikuar që të krijohen probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit.
Por përveç shumë të këqijave, karantina e vetizolimi, solli së paku një efekt pozitiv për jetën e qytetarëve të Kosovës.
Në fakt masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sidomos karantinimi i disa qyteteve dhe reduktimi i lëvizjes së automjeteve, kanë ndikuar që në Kosovë të përmirësohet në masë të madhe cilësia e ajrit.
Këtë e thotë në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina.
“Sikurse dihet masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë rezultuar në rënie të qarkullimit rrugor dhe në dinamikën e aktiviteteve të tjera ekonomike, të cilat kanë ndikuar në rënien e ndotjes së ajrit për disa parametra, sidomos parametrat që lidhen me transportin rrugor”, tha Morina për FaktePlus.
Sipas të dhënave të publikuara nga matjen e institucioneve përkatëse gjatë muajve kur masat kufizuese ishin në fuqi është vërejtur rënie e madhe e nivelit të ndotjes nga dioksidi i azotit dhe gazrat tjera.
Në fakt gjatë muajit mars dhe prill kur edhe kanë qenë më të qetë sa i përket transportit rrugor, ka pasur përmirësim të cilësisë së ajrit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
“Të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) nga stacionet e monitorimit flasin për ulje të ndotjes deri në 50% në nivel vendi krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar”, tha Morina.
E me rëndien e numrit të infektimeve me kroonavirus edhe në Kosovës kanë filluar masat lehtësuese, duke u lejuar lëvizja e lirë dhe aktivitetet e tjera ekonomike.
Tashmë thuajse nuk ka ndonjë kufizim dhe prej ditësh transporti rrugor zhvillohet normalisht, e Morina tregon se a pati ndonjë ndryshim në gjendjen e ajrit.
“Duhet theksuar se pas përfundimit të karantinës dhe lehtësimit të masave kemi ngritje të nivelit të ndotjes nga emisionet ndotëse, por nuk ka ndonjë tejkalim të theksuar”, u shpreh ai.
Drejtori i AMMK- së thotë që viteve të fundit ka pasur përmirësim të dukshëm të ajrit, e këtu ka ndikuar përmirësimi i gjendjes mjedisore në KEK me instalimin e elektrofiltrave, bartjen e hirit në mënyrë hidraulike, mbulimin gradual të hirit dhe masat e Ministrisë së Mjedisit.
“Viteve të fundit kemi një përmirësim të theksuar të gjendjes mjedisore. Kësaj gjendje i ka kontribuar përmirësimi i gjendjes mjedisore në KEK”, tha Morina.
Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit iu bën apel të gjithë qytetarëve ta ruajnë ambientin ku jetojnë duke shmangur përdorimin e automjeteve dhe lëndëve djegëse, veçanërisht thëngjillit.
Kujtojmë se prej vitesh matjet tregojnë se është i lartë niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë, sidomos në Prishtinë. Cilësia jo e mirë e ajrit që shpeshherë sipas matjeve ka qenë helmuese, është parë e vazhdon të shihet si rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e njeriut. Kjo ndotje, është konsideruar sidomos si rrezik potencial për njerëzit me sëmundje kronike dhe fëmijët./FaktePlus