Në krye të dialogut Kosovë-Serbi, janë persona nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës
Bashkimi Europian tanimë e ka bërë të ditur planin për emërimin e një Përfaqësuesi Special për Dialogun Kosovë-Serbi. Kështu BE’ja po ndjek shembullin e SHBA’së për emërimin e një personi të posaçëm për dialogun mes dy vendeve.
Personi që do të marrë këtë pozitë është Miroslav Lajcak, diplomat i njohur sllovak. Lajcak do i bashkohet Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në dialog.
Por çka kanë të përbashkët këta dy diplomatë europianë?
E veçanta e të dyve është se vijnë nga shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Spanja dhe Sllovakia mbajnë një qasje kundërthënëse për shpalljen e pavarësisë. Këtu këto dy shtete anojnë me Serbinë.
Gjithsesi, Borrell kishte deklaruar se kjo nuk do të përbëjë problem, por sa do të jetësohet kjo në praktikë mbetet të shihet.
Lajcak në anën tjetër ka përvojë të madhe si diplomat në Ballkan.
Ai kishte qenë Përfaqësues Special i BE’së në Bosnjë e Hercegovinë. Aty ai është i njohur për një përplasje me kryetarin e Republikës Serbe brenda Bosnjës, Millorad Dodik. Lajcak kishte lëshuar pe në këtë konfrontim. Po ashtu ai ka qenë mbikqyrës special në referendumin për pavarësi në Mal të Zi.
Lajcak flet rrjedhshëm gjuhën serbe, dhe ka qenë ambasador i Sllovakisë në Beograd. Aty ai mbante titullin e ambasadorit për Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri.
SHBA në anën tjetër kanë vënë si Përfaqësues Special për dialogun, Richard Grenell. Ai ka marrë mbështetjen e plotë të presidentit amerikan, Donald Trump. SHBA u përshi në dialog pasi BE, me ish-Përfaqësues për Politikë të Jashtme, Federika Mogherini, nuk po arrinin asesi të kthenin në tavolinë të bisedimeve palët.
Grenell arriti të bindë palët për nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e linjës ajrore, Prishtinë-Beograd dhe hapjen e lidhjes hekurudhore dhe autostradës. Trump kishte postuar në rrjetin social Tuitter arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve për linjë ajrore.
“Kishin thënë që nuk është e mundur”, shkruante Trump.