Në Kosovë nuk ka vend për panik nga koronavirusi kinez
Infektologu Valbon Krasniqi thotë se ekzistojnë disa lloje të korona viruseve që kryesisht janë transmetuar nga kafshët te njerëzit.
Ai ka theksuar se bota është përballur edhe më herët me viruse të familjeve të coronavirusëve që shkaktojnë infeksione të rrugëve të frymëmarrjes.
Krasniqi thotë se virusët SARS dhe më pas MERS që janë shfaqur vite më parë në Kinë respektivisht Arabi Saudite janë të ngjashëm në masën 70% si coronavirusi i shfaqur së fundmi në Kinë.
Doktori thotë se virusi është ende i ri dhe nuk dihen shumë mirë aftësitë e tij për t’u përhapur në masa.
“Ajo që dihet deri më tani është se të gjithë viruset, përfshirë edhe familjen e korona viruseve është se ata nuk mund të qëndrojnë në ambient të jashtëm [jashtë organizmit të njeriut] më shumë se 24 orë”.
Ai në rtv Dukagjini thotë se koha më optimale e mbijetesës së viruseve është nga disa minuta deri në disa orë e që në rastin më ekstrem në 24 orë.
I pyetur nëse edhe mallrat që vijnë nga Kina mund të sjellin këtë virus, infektologu ka thënë se ende nuk dihet sa është rezistent ky virus por sipas tij në bazë të familjes që i takon mund të veprohet.
Krasniqi thotë se Kosova është përballur edhe me viruse shumë të rrezikshme siç është ai i njohuri me emrin “Gripi i Derrit” dhe sipas tij Kosova edhe tash është përgatitur dhe nuk ka vend për panik.
“Deri më tani nuk kemi asnjë rast të konfirmuar e as të dyshuar me këtë virus”, tha ndër të tjera infektologu Valbon Krasniqi./FaktePlus