Në Kosovë është testuar vetëm 0.08 % e popullsisë për koronavirus
Vetëm 0.08 për qind e popullsisë në Kosovë është testuar për koronavirus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar që të bëhen më shumë testime në proporcion me numrin e popullsisë sepse situata mund të dalë nga kontrolli shkaku i njerëzve që mund të jenë të infektuar e që nuk kanë simptoma.
Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se rreth 100 teste bëhen në ditë e gjithsej janë testuar 1 mijë e 380 persona që nga 13 marsi kur është paraqitur rasti i parë pozitiv me koronavirus, raporton KOHA.
Megjithatë, në MSH thonë nuk kanë shifër të saktë se sa persona testohen e të cilët kanë mund të kenë kontakt me një person që del pozitiv me COVID-19.
Në dispozicion janë edhe 1500 teste, por Sami Uka nga MSH-ja, thotë se të hënën do të furnizohen edhe me 6000 të tjera.
Edhe kryetarët e komunave ku ka të prekur me koronavirus bëjnë thirrje që numri i testimeve të rritet, e një kërkesë e tillë është bërë edhe nga infektologët.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tregon se për rastin e parë të konfirmuar në këtë komunë janë testuar 17 persona kontakti, e prej tyre 11 kanë dalë pozitivë.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, Shoqata e Pacientëve ka thënë se Kosova tashmë ka siguruar numër të mjaftueshëm të testeve.
“Është e pakuptueshme pse nuk është duke u rritur numri i testimeve. Ky është edhe një rekomandim i OBSH-së që IKSHPK nuk duhet ta neglizhojë, pasi mund të ketë pasoja të mëdha! I bëjmë thirrje IKSHPK-së që t’i ndjekë udhëzimet e OBSH-së”, thuhet në përgjigjen e kësaj shoqate.