Në Kosovë bëhen mesatarisht 140 në ditë, ka kapacitet për 700 testime ditore
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë Kosova ka kapacitete të bëjë deri në 700 teste në ditë pacientë me COVID-19. Prej se ka ardhur COVID-19 në Kosovë janë bërë veç 6182 testime, llogaritur në ditë i bie mestaraisht 138 testime ditore. Mikrobiologu, Lul Raka, ka thënë se kanë kapacitete profesionale por s’po kanë teste të mjaftueshme.
Kosova po vazhdon të jetë vendi me më së paku testime në ditë për të dyshuarit që janë prekur me koronavirus. Mesatarisht në Kosovë testohen 130 persona ndërsa numri total i testimeve të deritashme ka shkuar në 6128 mostra.
Prej 13 mars, kur është raportuar për herën e parë i infektuari me COVID-19, janë realizuar 138.5 teste në ditë. Pra, përkthyer në mesatare për një milion banorë, janë realizuar vetëm 77 teste në ditë që është numri më i vogël krahasuar me vende tjera.
Serbia realizon 979 teste për një milion banorë; Mali i Zi bën 2742 teste për një milion banorë; Shqipëria 893 teste për një milion banorë.
Lul Raka, mikrobiolog, ka alarmuar para disa ditësh për numrin e vogël të testimeve që po bëhen. Ka thënë se ka kapacitete të mjaftueshme por s’po ka teste pasi po është vështirë të blihen për shkak të kërkesave të mëdha nga të gjitha shtetet e botës.
“Përsa i përket numrit të testeve, duket qartë që ne çalojmë dhe kjo tregon dobësinë që kemi ne vend në sistemin shëndetësor. Në rang rajoni ne jemi të fundit pas Serbisë me 893 teste për milion, ndërkohë që serbët janë në nivelin e 979 testeve për milion. Ndërkohë që Kroacia mban vendin e parë me 2793 teste për milion”, ka thënë Raka, në një intervistë për emisionin Gjesi në T7.
Raka ka treguar se kanë staf të mjaftueshëm mjekësorë për të bërë edhe më shumë testime.
“Kosova i ka 45 mikrobiologë sot. Këta 45 mikrobiolog punojnë në Institut dhe nëpër institute rajonale. Në IKPSH nuk janë pesë mikrobiologë. Ka edhe të tjerë që dijnë të punojnë. Mirëpo, nuk ka teste. Teste s’ka për shkak të kërkesës së madhe në krejt botën. Edhe pare kemi por s’mundesh me i ble për shkak se ka kërkesë të madhe”, ka thënë ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për KTV, se mund të bëhen deri në 700 teste në ditë në IKPSHPK.
“600 deri në 700 është kapaciteti që mund të kryejmë. Profesor Ramadani e ka konfirmuar këtë. Ndërkohë kanë marrë edhe ekipe shtesë”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë, në një intervistë për Interaktiv, në minutën 13-të.
Deri më tash, në Kosovë janë infektuar 731 persona, ndërsa, kanë sot është shënuar viktima e 21-të. Të shëruar nga kjo sëmundje janë 165. Në gjithë botën, janë prekur gati 3 milionë njerëz, janë shëruar 828 mijë dhe kanë vdekur 203 mijë të tjerë.