Në kërkim të të zhdukurve
20 vjet pas çlirimit të Kosovës, lufta nuk ka përfunduar ende për disa qindra familje shqiptare. Kjo pasi ende edhe sot e kësaj dite, nuk dihet fati i 1650 shqiptarëve të zhdukur. Njeriu që dha shumë në procesin e të pagjeturve, është ende me shpresë që një ditë do të zbardhen të gjitha rastet e krimeve serbe në Kosovë.
Arsim Gërxhaliu, i cili është drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në gjithë këto vite e ka ndjekur procesin e identifikimit të eshtrave nëpër varrezat masive si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Por, edhe pse shumë herë misioni i tij është vështirësuar, Gërxhaliu nuk është dorëzuar asnjëherë.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Arsim Gërxhaliu ka rrëfyer për punën e tij që bënë tash e sa vite. Ai ka treguar edhe emocionet e veçanta që kishte për raste të ndryshme në proceset e identifikimeve të personave të vrarë gjatë luftës apo edhe më herët.
Gërxhaliu nuk mund të harrojë natyrisht momente si ato kur ka identifikuar eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini, apo kur menjëherë pas luftës ka identifikuar edhe familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, mustaqet e të cilit i ruan si kujtim.
Ai tutje ka folur edhe punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Se si e la vitin 2018 dhe cilat janë prioritetet për vitin 2019, të mjekut ligjor, Arsim Gërxhaliut, ju ftojmë ta lexoni intervistën e plotë.
FaktePlus: Zotëri Gërxhaliu, për kohë të gjatë keni qenë pjesë e angazhimeve në zbardhjen e të pagjeturve të luftës së fundit. Morët pjesë në shumë gërmime qoftë në Kosovë apo në Serbi, sa kanë qenë të vështira të gjitha këto procese?
Arsim Gërxhaliu: Po , tanimë kam hyrë në vitin e 20-të që merrem me këtë proces. Thjeshtë menjëherë pas hyrjes se trupave të KFOR-it kam filluar të merrem me çështjen e të zhdukurve.
Vështirësitë janë prezente edhe sot pothuajse, kurse ato në fillim as që kisha dashur t’i rikujtoja, kur me atë çfarë mundeshim mundoheshim të kryejmë punë, e deri më 2011 ka zgjatë kjo. Vështirësitë më të mëdha kanë qenë udhëtimet në Serbi , …sepse kanë qenë vetanake
FaktePlus: Si e keni përjetuar këtë proces?
Arsim Gërxhaliu: Ky proces më ka përvetësuar edhe në aspektin emocional, në fakt familjarët dhe lutjet e tyre për t’i gjetur të afërmit , më kanë mbajtur në këtë proces.
FaktePlus: Sa është i vështirë identifikimi?
Arsim Gërxhaliu: Identifikimi është një proces i komplikuar, e sidomos kur përmenden rastet e varrezave masive në Serbi, sepse ata kanë qenë të rivarrosur nga 2 apo 3 herë, andaj mundeni ta paramendoni një varrezë me 150 trupa të zhvendosur nga 2 herë apo edhe 3 herë , e kur e dimë se një njeri i ka 206 pjesë kockore.
FaktePlus: A mendoni se është punuar mjaft për të pagjeturit, flasim këtu për institucionet e vendit?
Arsim Gërxhaliu: Nuk është punuar edhe aq sa kemi mundur të punojmë. Deri më tani shumë dobët është investuar në ngritjen e kapaciteteve, po ashtu nuk janë bërë investime në trajnime të stafit. Ndoshta në këtë proces do të duhej të punohej më shumë kur janë në pyetje të pagjeturit. Sepse në një formë familjarët ende nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre.
FaktePlus: Sa është i vështirë profesioni juaj, pra të jesh mjek ligjor?
Arsim Gëxhaliu: Nuk është edhe profesion i lehtë, është punë me përgjegjësi. Duhet angazhim maximal dhe koncentrim të kujdesshëm. E bëjë me shumë vullnet këtë punë, mundohem të jap gjithë kontributin tim.
FaktePlus: Keni bërë qindra autopsi, a keni ndonjë rast që ju ka prekur emocionalisht shumë?
Arsim Gërxhaliu: Kam bërë qindra autopsi dhe secili rast është në vehte emocionues.
Rastet që më së shumti më prekin janë rastet me fëmijë, kur e shef një fëmijë të vogël të ekzekutuar me predhë nga arma e zjarrit, m’u në ballë, çfarë ke të thuash më tutje.
FaktePlus: Ju keni bërë ekspertizën e heroit kombëtar Isa Boletinit dhe familjes Jashari, cilat ishin emocionet e atij momenti?
Arsim Gërxhaliu: Tek familja e Jasharajve, gjatë tërë kohës së punës kemi pas emocione, ne i zhvarrosëm në vitin 2002, që të gjithë, pra 53 varre u rihapen. Në fakt aty ishin 7 persona N.N. dhe po aq kishin qenë gabimisht të varrosur.
Nuk harrohet ajo ditë, tek komandanti, çdo gjë na tradhtonte, lotët e emocionet nuk ndaleshin. Ndërsa sa i përket Isës, ka qenë me e vështirë, sepse vjetërsia e eshtrave bëri qe prej Shkupit analizat të vazhdojnë për në Strazburg, dhe pas një pune 2 vjeçare u arrit identifikimi i tij dhe 7 bashkëluftëtarëve të tij.
FaktePlus: Jeni drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, cilat janë kapacitet e punës që bëni në këtë institut?
Arsim Gërxhaliu: Ne si Institut i Mjekësisë Ligjore jemi në fazën e përgatitjes për t’iu bashkangjitur familjes së madhe Europiane.
Tanimë si përfitues të IPA II, brenda këtyre 3-4 viteve kemi shume punë që të përgatitemi për akreditimin ndërkombëtar, dhe se kjo donë shumë punë e vullnet.
FaktePlus: Më herët ka pasur probleme me laboratorët e ADN-së, si qëndron tash puna?
Arsim Gërxhaliu: Në agjensionin e Forenzikës ka filluar punën laboratori i ADN-së, por ne i bëjmë analizat në ICMP në Hagë , meqë që nga fillimi i bëjnë ata, dhe se i kemi falas , për çka edhe duhet t’i falënderohemi ICMP për këtë.
FaktePlus: Si po leni pas vitin 2018?
Arsim Gërxhaliu: Vitin 2018 po lëmë me një punë relativisht të madhe në teren, por me identifikime jo të kënaqshme, meqë edhe informacionet nuk po janë të sakta.
FaktePlus: Po nga 2019-ta, çfarë prisni?
Arsim Gërxhaliu: Po fillojmë një vit të ri me shpresë se do të kemi informacione më të sakta dhe me shpresë që pala serbe do të hapë arkivat e saja, besoj se do të kemi punë edhe në teren.