Në incidentin te Ibri i përfshirë edhe Agim Bahtiri
Pas një përleshjeje në mes dy grupeve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës, përveç Policisë, në vendin e ngjarjes u pa edhe kryetari Agim Bahtiri.
Kjo përleshje ndodhi sot në lidhje me ndërtimin e një ure lidhëse mbi lumin Ibër, e cila ndodhet afër urës kryesore. Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte dërguar një eskavator afër lumit Ibër.
Në një video të realizuar nga vendi i ngjarjes, shihen një grumbull i madh i njerëzve duke u përplasur. I pranishëm ka qenë edhe Bahtiri, i cili dëgjohet disa herë duke bërtitur.
Ai aty ka thënë që të pranishmit të largohen dhe të shkojnë në shtëpi.
“Askush s’guxon me u ndi, ecni krejt në shpi!”, dëgjohet teksa thotë me zë të lartë.
Ndryshe, gjatë ditës kanë qarkulluar edhe pamje të tjera nga incidenti afër lumit Ibër në Mitrovicë.
Policia Rajonale e Mitrovicës i ka thënë se bëhet fjalë për një kontest në mes dy komunave, asaj të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.