Në hetime qindra policë, dhjetëra të suspenduar e arrestuar
Nga Adelina Sahiti
Edhe pse Policinë e Kosovës ende e vlerësojnë si njërin ndër institucionet më të besueshme, qytetarët iniciojnë qindra raste të pakënaqësisë në raport me këtë institucion, përkatësisht me personelin e saj. Për këto shkaqe dhe të tjera, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) këtë vit nga muaji janar e deri në shtator i ka hetuar qindra punonjës policorë dhe i ka arrestuar dhjetëra.
Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarët e nga IPK-ja tregojnë për rastet e veprat më të shpeshta për të cilat hetohen zyrtarët policorë.
Sipas tyre, hetimet kryesisht bëhen për shkaktim të rrezikut në trafik, keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, shkaktim të lëndimit të lehtë trupor, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, etj.
Për koto shkaqe, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka thotë se këtë vit nga muaji janar e deri në shtator janë hetuar 142 punonjës të Policisë së Kosovës.
“Si rezultat i hetimeve ndaj 142 punonjësve dhe nevojave të procedurës hetimore në këtë periudhë kohore janë arrestuar edhe 10 punonjës të Policisë së Kosovës dhe një qytetar”, ka thënë ai.
Pas hetimeve për disa raste IPK-ja ka dalë edhe me rekomandime dhe janë bërë transferime të punonjësve policorë nga një vend në një tjetër, e po ashtu janë bërë edhe suspendime.
“Pesë punonjës të policisë janë transferuar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, kurse 33 të tjerë janë suspenduar nga puna po ashtu me rekomandim të IPK-së”, ka thënë zëdhënësi Beka.
Ndërsa zyrtarët nga Policia e Kosovës nuk kanë ofruar ndonjë të dhënë se sa ankesa kanë pranuar sivjet dhe për numrin e policëve ndaj të cilëve janë ndërmarrë masa për kryerjen e ndonjë shkelje.
Si do qoftë nga raporti vjetor i Policisë së Kosovës për vitin 2017 bëhet e ditur se vjet janë iniciuara 881 lëndë për hetime të brendshme nga Drejtoria e Standardeve Profesionale (DSP) e nga to 655 lëndë janë iniciuar nga qytetarët.
Kurse nga gjithsej 1213 lëndë të trajtuara në KBD, janë marrë këto vendime: 82 raste të ndërprerjes së marrëdhënies së punës; 1 rast të degradimit, 204 raste të ndalesës në pagë; 114 vërejtje me shkrim; 47 vërejtje me gojë; 48 raste lirim nga akuza; në 20 raste janë pushuar hetimet, ndërsa 697 raste kanë qenë të paargumentuara dhe pabazuara.
Po ashtu, sot Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar pesë pjesëtarë
Pas vlerësimit se këta zyrtarë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, u suspenduan nga Policia e Kosovës deri në përfundimin e plotë të hetimit.
“Hetimet kanë filluar dje sipas detyrës zyrtare (ex officio) lidhur me dyshimin se zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” e paraparë me nenin 198 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprës penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara””, thuhet në njoftim./FaktePlus