Në fjalorin skandaloz të Mehmet Krajës nuk ka vend për heronjtë e Kosovës
Vepra më kapitale e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që i kushtoi shtetit qindra mijëra euro, vazhdon të konsiderohet si skandal për faktin se aty kryeredaktori Mehmet Kraja, gjeti vend dhe u kushtoi nga një faqe vajzave të tij, por nuk shkroi për shumë personalitete me nam të Republikës së Kosovës, ndër ta edhe për Enver Zymberin, Heroin e Shtetit të Kosovës.
U quajt edhe projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Por vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës, po del se ka shumë të meta.
Kryeredaktori i këtij fjalori, Mehmet Kraja në këtë vepër përveç vetes ka futur edhe dy vajzat e tij, por jashtë kësaj vepre mbetën shumë personalitete me nam të Republikës së Kosovës.
Njëri ndër ata për të cilët nuk u shkrua asnjë rresht është edhe Enver Zymberi, Heroi i Shtetit të Kosovës.
Enver Zymberit iu dha Urdhri Heroi i Kosovës, dy ditë pas vrasjes së tij, më 27.07.2011 nga Presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Por polici i Kosovës që u vra në veri të vendit duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, pas pavarësimit të vendit, nuk zuri vend në Enciklopedinë e AShAK-ut.
Ndryshe Enver Zumberi u vra me 25 korrik 2011 në pjesën veriore të Kosovës gjatë operacionit të Policisë në përpjekje për kthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, shkruan Gazeta Infokus.
Enver Zymberi ishte oficer i forcave të ndërhyrjes speciale të Kosovës. Ai u lind në vitin 1979 në fshatin Dubovc, Komuna e Vushtrrisë. Ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002.
Po ashtu, në këtë fjalor nuk u gjet vend në asnjë faqe as për heronj të luftës çlirimtare të UÇK-së, siç është rasti me heroin Imer Alushani.
Imer M. Alushani u lind në fshatin Bushat të komunës së Drenasit. Ishte aktiv në demonstratat nga vitet 1980, 1981, 1989 dhe për këtë veprimtari është dënuar nga regjimi okupues serb me katër vite burg.
Pas mbarimit të burgut, Imer Alushani kyçet në radhët e UÇK-së përmes komandantit Legjendar Adem Jashari.
Alushani ra heroikisht më 26 korrik të vitit 1998 gjatë luftimeve në Grykën e Llapushnikut.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Imer Alushanit i jepet urdhri “Hero i Kosovës”.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka shkruar rreth futjes së familjarëve të vet nga autori i Enciklopedisë, Mehmet Kraja. Autori Kraja përveç vetes gjeti vend dhe u kushtoi nga një faqe edhe vajzave të tij. Menjëherë pas daljes në treg (me çmim astronomik prej 50 eurosh) të këtij fjalori enciklopedik, në redaksinë e FaktePlus kanë vërshuar kritika të mëdha… (Lexo këtu)
Kurse akademik Rexhep Qosja, në një intervistë për FaktePlus e ka quajtur këtë enciklopedi, fryt i zi i korrupsionit. Ndër të tjera, Qosja tha se ky fjalor është edhe anti-kombëtar dhe e quan si përmbushje të konceptit serb mbi ndarjen e kombit shqiptar./FaktePlus