Në emër të kujt, mashtroi prindin e vajzës së sëmurë që kishte nevojë për shërim jashtë shtetit
Një 36 vjeçar në Mitrovicë të Jugut ka përdorur emrin e ish karateistit të njohur nga Kosova, Enver Idrizi, për të përfituar para nga një familje që e kishte vajzën të sëmurë dhe kishte nevojë për shërim jashtë vendit.
Personi në fjalë është intervistuar sot gjatë ditës nga Policia e Kosovës dhe është liruar në procedurë të rregullt.
Por, si ka ndodhur ngjarja?
Familja që e ka vajzën e sëmurë është kontaktuar nga i dyshuari dhe ai iu kishte thënë se vjen nga shoqata e karateistit, Enver idrizi me seli në Gjermani.
Sipas burimeve të Reporterit në polici, familja ka deklaruar se personi në fjalë iu kishte premtuar se të gjitha shpenzimet do t’i mbulojë kjo shoqatë, për shërimin e vajzës, por vetëm duhet dhënë 1500 euro për të kryer procedurat.
“Familja i ka dhënë këto para në raste të ndara”, tha një burim brenda policisë. Por meqë puna nuk kryhej e familja dyshonte, e kanë telefonuar Enver Idrizin. Karateisti i ka thënë familjes së nuk e njeh këtë person dhe nuk ka asnjë lidhje me të.
Më të marrë këtë informatë, prindi i vajzës ka lajmëruar rastin në polici dhe forcat e rendit, me ndihmën edhe të familjes viktimë kanë gjetur vendndodhjen e personit që thirrej në emër të kësaj shoqate.
“Ai është intervistuar dhe ne konsultim edhe me prokurorin ai është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë burimi i Reporterit në polici.