Në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit – Bienalja e Venedikut
Republika e Kosovës po merr pjesë për herë të katërt në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit në Bienalen e Venedikut, ku do të përfaqësohet nga artisti i njohur Alban Muja.
Në një komunikatë për media thuhet se duke u njoftuar me ekipin e pavionit, Kosova përmbush një nga detyrimet fillestare kundrejt Bienales së Venedikut, dhe gjithashtu tregon nivelin profesional të pjesëmarrjes atje.
Pavioni i Kosovës që përfaqësohet nga Alban Muja, ka bërë një punë e cila është e influencuar nga proceset sociale, politike dhe ekonomike të transformimit në rajonin më të gjerë.
Ai hulumton historinë dhe temat socio-politike dhe i lidhë ato me pozitën e tij në Kosovë sot.
Pavioni do të udhëhiqet nga Vincent Honore, një kurator i njohur francez i cili ka qendrën në Londër. Me një fokus të veçantë në ekspozita, ai përfshinë mënyra alternative të ekspozimit ku rëndësi të lartë ka angazhimi sa më i madh i audiencës, përmes projekteve ndërdisiplinare.
Komisionerja e Pavionit të Kosovës në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit të Bienales së Venedikut që përfaqëson vendin është Arta Agani -drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës.