Në dorën e kujt është mandati i Speciales – A mund të ketë kthim mbrapa?
Vitin e ardhshëm bëhen pesë vjet që nga miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Pikërisht kur është miratuar ky Ligj, është thënë se mandati i Dhomave të Specializuara është pesë vjeçar dhe kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.
Mirëpo, kur i kanë mbetur edhe më pak se një vit Gjykatës Speciale, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë për asnjë të dyshuar, pos që ka ftuar për intervistim qindra ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, ende nuk dihet nëse do t’i vazhdohet mandati apo jo Gjykatës Speciale, kur kjo t’i mbush pesë vjet që nga themelimi i saj.
Megjithatë, për të vlerësuar nëse i skadon mandati vitin e ardhshëm apo jo Gjykatës Speciale, njohës të kësaj çështje e avokatë thonë se këtë duhet ta interpretojë Gjykata Kushtetuese, pasi ka mospërputhje të paragrafëve të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës.
E, nëse vërtetohet se i skadon mandati i Speciales pasi t’i mbushë pesë vite nga themelimit, atëherë duhet Kuvendi i Kosovës që t’ia vazhdojë ose jo mandatin.
Këtë duhet ta bëjë legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës.
Gzim Shala, Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se përfundimi i mandatit të Speciales është pesë vjeçar.
“Në bazë të amandamentit kushtetues lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit bëhet më herët. Sipas këtij amandamenti, në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit sipas paragrafit 12, mandati i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë”, ka thënë Shala.
Mirëpo, duke qenë se Gjykata Speciale ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, ani se ka mbi katër vjet të funksionimit të saj, Shala thotë se ende nuk janë qartësuar rezultatet e fazës finale të hetimeve në këtë Gjykatë, për të ditur nëse do t’i përfundojë të gjitha rastet gjyqësore që mund t’i ngrish.
“Sa i përket faktit nëse Gjykata Speciale do të arrijë që të përfundojë të gjitha rastet brenda periudhës prej pesë viteve, kjo varet nga rrjedha procedurale. Aktualisht, ende nuk janë qartësuar rezultatet e fazës së hetimeve në këtë gjykatë, të cilat rezultate do të përcaktonin edhe shumë aspekte të tjera. Në këtë drejtim, varësisht hetimeve, rasteve dhe aktakuzave që do të ngritën, varet edhe periudha kohore që kësaj gjykate do ti nevojitet për ti trajtuar këto raste”, është shprehur ai.
Kurse avokati Artan Qerkini, ka vlerësuar se rreth mandatit të Gjykatës Speciale, paragrafët 13 dhe 14 të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, janë në kundërthënie mes vete.
“Në lidhje me mandatin e Gjykatës Speciale duhet të them se paragrafët 13 dhe 14 të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës janë në kundërthënie mes vete. Do t’i mbetet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar paragrafët e cekura me lartë. Sepse Gjykata Kushtetuese është e vetmja e autorizuar për të interpretuar këtë dispozitë nëse çështja ngritët nga nja pale e autorizuar, siç mund të jetë një i pandehur”, ka thënë avokati Qerkini.
Ai thotë se për të ditur saktë nëse mandati i Speciales përfundon pas pesë viteve nga themelimi i saj, duhet që t’i bëhet interpretimi nga Kushtetuesja.
“Duhet njëherë te interpretohet se a i skadon mandati pas 5 viteve, nëse interpretohet se i skadon, atëherë mandatin duhet t’ia vazhdojë Kuvendi. Në momentin kur të kalojnë 5 vite nga themelimi i Dhomave te Specializuara, i dyshuari nëse ftohet nga Gjykata mund ta sfidojë mandatin e Gjykatës në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar ai.
Mirëpo, duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, pritet të jenë në qeverinë e ardhshme, do të varet nga këto parti nëse do t’ia vazhdojnë mandatin ose jo Speciales.
Por, anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, thotë se Dhomat Specializuara funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe është institucion i dakorduar mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve, prandaj kthim mbrapa nuk do të ketë.
“Dhomat e Specializuara janë të Kosovës që funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës por me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, të vendosur në një shtet të tretë. Kjo është marrë si vendim i institucioneve të Kosovës dhe për ne këto dhoma duhet të ekzistojnë dhe ta kryejnë punën e vet dhe besoj se vlen edhe për Vetëvendosjen sepse është një proces i dakorduar mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve dhe kthim mbrapa nuk ka”, tha Gashi.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar, është miratuar me 3 gusht të vitit 2015, ani pse ishte kundërshtuar ashpër nga opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Mirëpo, votimi ishte bërë nga dy partitë në pushtet PDK-LDK dhe partitë minoritare, të cilat kishin me shumë se dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës./FaktePlus