Në ditëlindjen e tij përurohet shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri
Ikona e futbollit Fadil Vokrri dhe njëri nga lojtarët më të mirë të këtij sporti ndër gjithë shqiptarët do të qëndrojë i përjetësuar në bronz pranë stadiumit që e mban emrin e tij dhe në të cilin ai luajti për disa vite me radhë, si futbollist i Prishtinës.
Shtatorja e legjendës është përuruar sot në ditën kur ai do të mbushte 61 vjet.
Zbulimin e saj e bënë kryeministri Albin Kurti, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe pjesëtarë të familjes Vokrri.
Fadil Vokrri vdiq më 9 qershor 2018 në moshën 57 vjeçare.
Në shkurt të vitit 2008 ai ishte zgjedhur president i Federatës të Futbollit të Republikës, ndërsa konsiderohet njeriu më meritor për anëtarësimin e Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij evropian UEFA dhe botëror FIFA.
Vokrri ishte lojtar i Llapit, Prishtinës, Partizanit të Beogradit, Fenerbahçes dhe disa ekipeve të tjera evropiane.
Ai është ndër kosovarët e rrallë që ia pati dalë të luajë edhe për përfaqësuesen e Jugosllavisë.
Vokrri ishte më meritori që Prishtina kishte arritur të futet në Ligën e Parë të Jugosllavisë dhe të paraqitet dinjitetshëm në këtë kategori garash, për disa vite.