Në Berlin Kosova mbajti qëndrimin e vet, nuk ndryshoi asgjë
Në Samitin e Berlinit Kosova ruajti qëndrimet e saja që kishte deri më tani, siç është taksa ndaj mallrave serbe, kërkesën për njohjen e pavarësisë nga Kosova, si dhe kërkesën ndaj Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët Kosovë. Kështu thotë analisti politik, Ramush Tahiri, në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kujtojmë se Samiti i Berlinit i zhvilluar ditën e djeshme, përfundoi pa arritur një emërues të përbashkët për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë.
Analisti Ramush Tahiri shtoi se Kosova mbajti qëndrimin e vet, sikurse e kishte para këtij samiti.
“Kosova e mbajti qëndrimin e vet në Samit, që e ka pasur para samitit dhe nuk ndryshoj asgjë, do të thotë e mbajti edhe taksën edhe kërkesën që Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu e paraqiti edhe kërkesën para liderëve të Bashkimit Evropian që t’iu liberalizohen vizat qytetarëve të Kosovës, sepse padrejtësisht po mbahen të izoluar dhe gjithashtu për të përshpejtuar rrugën e integrimeve evropiane. Dhe, bëri kërkesën që të bëhet presion tek pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Do të thotë ky qëndrim u mbajt dhe u respektua”, tha Tahiri për FaktePlus.
Në këtë samit, dy liderët e shtetit presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj shkuan me raporte të acaruara, duke qenë se ky i fundit kundërshtonte ashpër idenë e kreut të shtetit për korrigjim të kufirit mes Kosovës e Serbisë.
Por, sipas analistit Tahiri, në këtë samit janë hequr dilemat për dallimet që mund të kenë Thaçi e Haradinaj, sepse u pa që aty kishte më shumë pika ofruese se sa dalluese.
“Dallimet që dukeshin mes kryeministrit dhe presidentit u hiqen aty, sepse me shumë kishte pika ofruese se sa pika dalluese. Pika dalluese që dukej rreth kufirit edhe ajo u largua sepse kryeministri tha që nuk ka ndryshim kufijsh dhe duhet pranuar Kosova. Dhe që taksa hiqet në moment që njihet Kosova sepse ky është vetëm fillimi për normalizim të marrëdhënieve. Ndërsa presidenti tha që çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të bëhet demarkacioni ose kufij të rinj ose të vjetër porse do të pranohet kufiri shtetëror që derisa Serbia e njeh kufirin si kufi administrativ”, ka theksuar analisti Tahiri.
Pas Samitit të Berlinit, palët janë pajtuar që të mbajnë edhe një takim tjetër të këtij niveli në Paris në muajin korrik të këtij viti.
Analisti Tahiri thekson se ai pret që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve.
Ai thotë se nuk pret që të ketë ndonjë temë e cila do ta pengonte arritjen e marrëveshjes.
“Unë pres këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare. Nuk pres që do të hapet një temë e re që nuk ka qenë e cila do të pengonte arritjen e marrëveshjes. Nëse ka një marrëveshje dhe duhet të arrihet atëherë ajo do të arrihet këtë vit dhe nuk do të prolongohet vitin e ardhshëm. Por Kosova nuk ka nevojë të bisedojë për sovranitetin dhe shtetin e saj sepse nuk është shumë jetike njohja e Kosovës, por është me rëndësi normalizimi i marrëdhënieve dhe Kosova e Serbia të sillen në mënyrë evropiane. Dhe Serbia e dinë prej fillimi që në Evropë nuk po shkon me Kosovën, por pa Kosovën”, u shpreh analisti Tahiri.
Samiti i Berlinit u organizua me iniciativë të kancerales Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, që kishte për qëllim afrimin e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do të qonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve./FaktePlus