Në 20 lokacione nëpër Kosovë do të hulumtohet për varreza masive
Trupat e 1647 shqiptarëve që u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë ende nuk dihen se ku janë. Me kalimin e viteve familjarët e humbën shpresën që të dashurit e tyre të jenë gjallë, por nuk e shuan ëndrrën që një ditë do t’i gjejnë të paktën eshtrat e tyre.
Për njëzet vjet këto familje po jetojnë me ankthin e pritjes dhe me të vetmen pyetje që asnjëherë nuk morën përgjigje: çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre?
Shpresa e tyre rritet sidomos kur bëhet fjalë për gërmimet, e dhimbja është edhe më e madhe në përvjetore.
“A thua aty do të jenë mbetjet mortore të fëmiut, burrit, gruas, vëllait, motrës sime”, është vetëm njëra prej ofshamave të kësaj shprese.
Vetëm vitin që lamë pas (2018) janë gërmuar 9 lokacione që dyshohet për varreza masive, prej ku vetëm në dy gërmime u gjetën mbetjet mortore.
Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka, Jahja Lluka ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se këtë viti planifikojnë të bëjnë gërmime në 20 lokacione.
“Deri në fund të vitit ne po mendojmë që kemi me i hap edhe 20 lokacione. Tani në bazë të raportit të radarit e kemi edhe 7 lokacione të dyshuara”, tregon Lluka.
Në bazë të radarit tokësor për varrezat masive janë tri lokacione ku dyshohet të ketë mbetje mortore. Uglari, Fushë Kosova, Izbica e disa vende tjera, janë lokacionet që dyshohet të ketë mbetje mortore.
“Janë tri në Uglarë, Fushë Kosovë dhe ka lokacion tjera, në Izbicë por do të shohim prapë për informacione. Ne i marrim urdhëresat prej prokurorit, kështu që prokurori dhe policia pa e konfirmu informacionin a është i saktë ne nuk mundemi me dalë në teren se këtë e bënë mjekësia ligjore me kompaninë e cila është e kontraktuar. Ne në këto raste shkojmë vetëm si vëzhgues”, tha Lluka.
E gjetjet që po bëhen herë pas herë me eshtra të atyre që humbën jetën gjatë luftës, Llukës i vjen rëndë t’i quajë rezultate.
“Çdo ditë ka me pas një gërmim. Nuk dua të flas tash për rezultate, se edhe me quajt rezultate për mua po është e rëndë. Se të gjendet një mbetje mortore nuk është rezultat. Është një gjë se nga gjithë të zhdukurit Kosova i ka zgjedh 70 për qind të rasteve, por për Ferdonije Qerkezin apo për Nystrete Kumnovën absolut ai 70 për qind nuk paraqet asgjë, sepse nuk e kanë të afërmit e tyre dhe të gjithë presin”, shprehet Lluka.
Ndërsa, javën e kaluar Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka shkruar edhe për një letër që i ka ardhur shtetit të Kosovës nga një qytetar i Novi Pazarit, i cili thotë se në minierën e qymyrit atje, janë varrosur mbi 20 autobus me njerëz të cilët u depërtuan nga Kosova gjatë periudhës së luftës.
Në bazë të incizimeve të radarit tokësor për varreza janë edhe dy lokacione në Serbi që dyshohet për varreza masive.
Lluka i tha FaktePlus se edhe për këtë i kanë bërë kërkesë komisionit në Beograd që sa më shpejt të jetë e mundur të marrin urdhëresën e prokurorit dhe të vazhdojnë me procedurat.
“Janë dy lokacione në Serbi të cilat ky radari që ka bërë incizimin janë bërë hetim dhe ne kemi bërë kërkesë komisionit serb që sa më shpejt që është e mundur me marrë urdhëresën e prokurorit që të vazhdojnë. Është regjioni i Rashkës, Jabllanica ka edhe dyshime tjera në disa lokacione tjera në Serbi”, tha Lluka.
Ai ka theksuar se Komisioni Qeveritar i Kosovës është duke bërë krejt çka është e mundur, mirëpo mundësitë janë të vogla për shkak se Beogradi nuk është i gatshëm të jap informacion.
“Jam i sigurt që në arkivat e Ushtrisë së Serbisë ka dokumentacion për çdo njeri tonin ku gjendet, ku është marrë dhe sa herë është bartur nga një varrezë në një varrezë tjetër”, tha ai.
Sipas tij, prej se çështja e të pagjeturve nuk është në kompetencë të Misionit EULEX, gjërat kanë ndryshuar.
Për çka edhe ka kritikuar EULEX-in, ku siç thotë Lluka nuk ka qenë i interesuar të zgjidh këtë çështje.
Lluka gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se janë edhe shumë mbetje mortore që janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore e që nuk kanë të bëjnë fare me luftën dhe as me të zhdukurit.
Madje, ai ka theksuar se EULEX ka punuar në bazë të etnive.
“EULEX nuk ka qenë i interesuar për mos me thënë që nuk ka qenë fare i interesuar me zgjidh shumë probleme. Ne kemi shumë mbetje mortore në morg të institutit, mirëpo kemi shumë mbetje mortore që nuk kanë të bëjnë fare me luftën e as me të zhdukrit. Nuk kanë qenë të interesuar. Në shumicën e rasteve EULEX-i ka punuar në baza të një etnie. Kanë qenë të interesuar për gjetjen e një pjesë të të zhdukurve. Te shqiptarët ka ndodhur e kundërta. Shpeshherë janë anashkaluar, kanë mbetë pas dore”, tha Lluka.
Derisa EULEX më parë ka zbatuar kur ia ka pasur qejfi urdhëresat për hapjen e lokacioneve ku dyshohen varrezat masive, tani Lluka thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
Derisa EULEX më parë ka zbatuar kur ia ka pasur qejfi urdhëresat për hapjen e lokacioneve ku dyshohen varrezat masive, tani Lluka thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
“Por tani kanë ndryshuar kohërat. Ne si komision dhe njerëzit që merren me këtë problem e kemi me obligim që çdo urdhëresë të çdo prokurori për krime lufte me zbatu në periudha të caktuara kohore. Përpara kjo nuk ka qenë sepse EULEX-i ka qenë vetë Gjykatësi dhe Prokurori. Kur ka dashtë e ka hap rastin, kur ka dashtë e ka mbajtë në fijokë”, është shprehur Lluka.
Zbardhja e fatit të të pagjeturve është thënë se do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Dëshira e Jahja Llukës është që pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve të mos të arrihet ndonjë marrëveshje.
Kështu edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, që është kryesuesi i Ekipit Qeveritar për Dialogun me Serbinë është shprehur ditë më parë këmbëngulës se s’do të ketë marrëveshje me Serbinë pa zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve./FaktePlus