Ndodh për herë të parë: Kosova e mposhti Serbinë me shifra në eksport-import
Vendosja e taksës 100 për qind nga ana e Kosovës për mallrat e Serbisë po vazhdon të sjell humbje të tregut për këtë shtet. Importi i mallrave nga Serbia për në vendin tonë ka rënë për 99 për qind. Por, për herë të parë ka ndodhur që edhe Kosova ta mund Serbinë edhe me shifra të eksportit dhe importit. Ditë më parë ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë ka thënë se ekonomia serbe po pëson humbje ditore prej 1.1 milion euro për shkak të taksës.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Shifrat e publikuara më parë tregojnë se Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht ka importuar mallra në vlerë 450 milionë euro.
Mirëpo, mallrat e Serbisë gjatë 10 muajve të këtij viti kanë zënë pak vend në tryezat e qytetarëve të Kosovës. Importi nga Serbia për në Kosovë ka rënë shumë dhe tani ka arritur vetëm në rreth 6 milionë euro.
“Nga Serbia kemi rënie të theksuar tw importit deri tani rreth 6 milionë euro vlere e mallrave si dhe po aq taksë kanë paguar. Serbia në kohën para aplikimit te taksës kishte import rreth 450 milionë euro brenda një viti”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Në Dogana kanë thënë se Kosova drejt Serbisë nga janari i deri më tash ka eksportuar mallra në vlerë prej 13 milionë eurove. Derisa brenda një viti ky eksport ka qenë rreth 25 milionë.
“Kosova në Serbi ka eksportuar deri tani rreth 13 milionë euro produkte. Rreth 25 milionë euro brenda një viti. Kosova jo që ka pasur ndonjë eksport të madh në Serbi. Ne kemi eksportuar në Serbi rreth 25-30 milionë euro brenda një viti. Por taksa ka ndikuar në uljen e eksporteve tona drejt Serbisë”.
Mirëpo, nëse merren për bazë statistikat e fundit del se Kosova për herë të parë e ka kaluar Serbinë me shifra.
Serbia për dhjet muaj të këtij viti ka futur në Kosovë vlerë të mallrave rreth 6 milionë euro. Kurse, Kosova në Serbi ka dërguar rreth 13 milionë euro produkte.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ditë ma parë ka thëne se prodhuesit vendor nuk janë favorizuar shumë nga taksa, mirëpo shtoi se taksa e ka vetëdijesuar konsumatorin dhe kjo vlen edhe pas heqjes së taksës.
“Me kapacitet që kanë pasur kompanitë tona, të cilat ndër vite janë ballafaquar me konkurrencën e produkteve serbe dhe nuk kanë mundur të zhvillohen si duhet, ato sadopak e kanë mbuluar boshllëkun që kanë krijuar produktet serbe dhe tash është riorientuar një pjesë e tregtisë dhe nuk pres rikthimin e dominimit të produkteve serbe siç kanë qenë”.
Ditë ma parë ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq edhe njëherë ka thënë se ekonomia serbe po pëson humbje ditore prej 1.1 milion euro për shkak të taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 100 për qind në importet e mallrave nga Serbia.
Ministri Lajiq ka thënë se që nga aplikimi i taksës, 11 muaj më parë, nga Serbia në Kosovë janë dërguar më pak mallra për 374 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë, para se të aplikohej taksa prej 100 për qind.
Sipas tij, Beogradi nuk ka aplikuar kundërmasa ndaj Prishtinës, sepse “ne blejmë shumë pak nga Kosova, por edhe të mos vijmë në një situatën të shpërndarjes artificiale të fajit”.
“Nuk kemi pasur për çfarë të vendosim kundërmasa, sepse ajo që ne blejmë nga Kosova është një sasi e vogël në krahasim me atë që ne eksportojmë atje. Me këtë gjithashtu do të bënim një gabim politik, sepse do të futeshim në një situatë të krijimit të simetrisë artificiale, atëherë të gjithë do ta harronin kush i pari aplikoi tarifat”, tha Lajiq.
Import miliardësh, por eksport i vogël
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave, në vitin 2018 vendi ynë ka importuar mallra në vlerë 3.347 miliardë euro dhe ka eksportuar 367.5 milionë euro.
Kjo i bije që nga viti 2015 deri në vitin 2018, rritja në import ka qenë 712.31 milionë euro, kurse, rritja në eksport gjatës kësaj periudhe ka qenë 43.21 milionë euro.
Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë viti 2018 me atë të vitit 2017 shifrat tregojnë se kemi një rënie vjetore prej 2.8 për qind, rënie ku Kosova vazhdon të ketë bilancin negativ tregtare.
Të dhënat e eksportit dhe importit për muajin shtator të këtij viti tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.1 për qind në muajin shtator 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 257.1 milionë euro në vitin 2018.
Sipas ASK-së në muajin shtator, eksporti mbulon importin me 13.0 për qind. Eksporti i mallrave në muajin shtator 2019 kishte vlerën 38.4 milionë euro, ndërsa importi 295.7 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 për qind për eksport, dhe një rritje prej 0.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Taksa prej 100 për qind për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht.
Kjo bëri që të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Evropian.
Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës kishte thënë se Bosnja dhe Serbia duhet të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë disa herë thirrje për heqjen e tarifave, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./FaktePlus