Ndihmë sociale 2.6 milionë euro në muaj për gati 25 mijë familje në Kosovë
Numri i familjeve që jetojnë në kushte të këqija ekonomike në Kosovë vazhdon të mbetet i madh. Pavarësisht rritjeve ekonomike të proklamuara nga qeveritë e fundit, nuk është shënuar progres i madh në realitet për ta zbutur sadopak këtë fenomen.
Pagat në sektorin privat kanë mbetur kryesisht të njëjta krahasuar me ato të dhjetë viteve më parë, e qytetarët janë të detyruar të punojnë punë nga më të ndryshmet, vetëm për të siguruar ekzistencën. Nga të dhënat që i ka siguruar FaktePlus nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shihet se sivjet janë më pak familje që kanë marrë asistencë sociale, kurse nga Kryqi i Kuq thonë se janë 13 mijë familje nevojtare në vend.
Ndihmë sociale në vendin tonë nga të dhënat e institucioneve për muajin shtator të këtij viti, kanë marrë 24 mijë e 526 familje. E kthyer në anëtarë, asistencë sociale kanë marrë 99 mijë e 718 persona, me shumë mujore që e ka arritur shifrën e 2 milionë e 603 mijë e 22 eurosh.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë 733 familje më pak që kanë marrë asistencë sociale. Këto të dhëna i kanë bërë ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Në periudhën janar – shtator 2018 numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale në nivel vendi ka qenë 25 mijë e 259 familje, me 103.094 anëtarë të familjes, me shumë mujore 2,686,217.50 €, kurse në shtator të vitit 2019 janë 24.526 familje, me 99.718 anëtarë të familjes, në shumë mujore prej 2,603,022.50€. Nëse e krahasojmë numrin e shfrytëzuesve për periudhën e njëjtë kohore të vitit 2018 dhe 2019 shohim se në vitin 2019 kem 733 familje më pak, që do të thotë ka rënie të numrit të shfrytëzuesve nga kjo skemë”, ka thënë për FaktePlus Musa Demiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kurse nga Kryqi i Kuq i Kosovës kanë thënë për FaktePlus se nuk shihet rënie e numrit të familjeve nevojtare në këtë vit, krahasuar me dy vitet e fundit.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, janë 13 mijë familje nevojtare në Kosovë.
“Kryqi i Kuq i Kosovës në listat e veta për momentin ka të regjistruara rreth 13.000 familje nevojtare. Ky numër është vetëm i atyre familjeve të cilat janë të evidentuara nga stafi dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq të Kosovës. Krahasuar me dy vitet e fundit, nuk vërehet rënie e numrit të familjeve nevojtare. Kësaj kategorie po i shtohen çdo ditë edhe të kthyerit nga vendet e tjera”, ka thënë Antigona Sopjani, koordinatore e Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës.
Sipas saj, deri në këtë periudhë të vitit janë ndihmuar rreth 2000 familje me artikuj ushqimorë, higjienikë e veshmbathje, kurse në projekte të ndryshme janë dhuruar edhe lopë, bletë e artikuj tjerë.
“Varësisht prej mundësive financiare dhe donacioneve, Kryqi i Kuq i Kosovës i ndihmon familjet nevojtare me artikuj ushqimorë, higjienik dhe veshmbathje. Por, ka edhe familje të cilat kanë qenë të përfshira direkt në projekte tjera ku dhe kanë përfituar: lopë, bletë, pajisje për rrobaqepëse etj, në mënyrë që ato të punojnë dhe të fitojnë të ardhura për familjen e vet. Deri në këtë periudhë të vitit kemi arritur të ndihmojmë rreth 2000 familje”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të qershorit të këtij viti, është Mitrovica vendi nga i cili përfitojnë më shumë familje nga skema e ndihmave sociale, gjithsej 2 mijë e 324 familje me 9 mijë e 677 anëtarë.
Kurse më së paku nga kjo skemë përfitojnë familjet nga komuna e Mamushës, gjithsej 23 familje me 92 anëtarë.
Kujtojmë që sipas ligjit, të drejtë për të përfituar ndihmë sociale kanë të gjithë ato:
- Familje që në përbërje i kanë të gjithë anëtarët të varur dhe të papunë( të varur konsiderohen personat mbi 18-vjeç me të meta të rënda dhe aftësi përherë të kufizuara që e bëjnë të paaftë për të kryer punë shpërblyese, personat që janë 65 vjeç apo më të moshuar, kujdestarët e përhershëm të personave me aftësi të kufizuara apo të personave në moshën 65 vjeç ose më të vjetër të cilëve u nevojitet kujdes i përhershëm, apo fëmija nën moshën 5 vjeç, personat deri në moshën 14 vjeç, personat ndërmjet moshave 15 dhe 18 vjeç dhe të cilët janë në shkollim të rregullt të mesëm, prindërit vetushqyes me së paku një fëmijë nën moshën 15 vjeç) dhe
- Familja me një anëtar të familjes të aftë për punë (i cili duhet të jetë i regjistruar si i papunësuar në Zyrën e Punësimit) dhe me të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeç apo që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç.
Sipas ligjit, familja e përzgjedhur për skemën e ndihmës sociale, për çdo fëmijë të moshës 0 deri 18 vjeç, realizon një përfitim financiar prej pesë euro në formën e shtesës për fëmijë, me qëllim të nxitjes së arsimimit dhe përmirësimit të shëndetit.
Familja që fiton të drejtën në ndihmë sociale në kategorinë e parë do të marrë ndihmë sociale deri në 12 muaj, kurse familja që fiton të drejtën në ndihmë sociale në kategorinë e dytë do të marrë ndihmë sociale deri në gjashtë muaj. Pas kalimit të afatit të periudhës prej një viti, përkatësisht, gjashtë muaj, familja duhet të bëjë kërkesë të re për vazhdimin e të drejtës për ndihmë sociale./FaktePlus