Ndërtimi i spitalit – premtimi që përsëritet në çdo fushatë elektorale
Ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë është njëri prej premtimeve që përsëritet nëpër fushata zgjedhore për vite të tëra. Kështu ka ndodhur edhe tash kur qytetarët e kësaj komune pritet t’u drejtohen kutive të votimit ditën e diel.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është kujdesur që në ditën e parë të fushatës ta bëjë publik lajmin se është finalizuar projekti për ndërtimin e këtij spitali. Ndërsa, këtë e ka përsëritur edhe ditën e mërkurë gjatë një vizite që i ka bërë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili është në garë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë. Rudari, që vjen nga e njëjta parti me Zemajn, e ka mohuar se kjo po bëhet për shkak të fushatës.
“Sigurisht se lajmi i mirë për qytetarët e Komunës së Podujevës është se sot këta (ministri Armend Zemaj dhe u.d. i drejtorit të SHSKUK-së, Saudin Maliqi, v.j.) dorëzuan projektin për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm. Në fakt, aneksin e Spitalit të Përgjithshëm, dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë ne dhe po ashtu patëm një takim me Shtabin Emergjent për të parë dhe për të analizuar situatën me pandeminë me COVID-19 në territorin e Komunës së Podujevës gjithsesi po sigurisht ministri na informoi edhe për situatën epidemiologjike në nivel vendi”, është shprehur Nexhmi Rudari.
“Tash, unë them që ne jemi në fushatë që nga muaji mars kur kanë qenë të shpallura zgjedhjet dhe dihet për shkak të numrit të madh të të infektuarve, atëherë ishte numri shumë më i vogël se tash, ishte vetëm fillimi i pandemisë, ishte marrë vendim që zgjedhjet të shtyhen. Kështu që kurdo që kishte ndodhur kjo, qoftë në muajin korrik, qoftë në muajin gusht, opozita dhe kundërshtarët politikë do të mundoheshin ta ndërlidhnin këtë me fushatë. Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me fushatë, por ka të bëjë me punët që janë nisur dhe tani kanë përfunduar”.
Njësoj e ka mohuar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Për mua është primare avancimi i shërbimeve shëndetësore, ruajtja e shëndetit publik, menaxhimi i situatës pandemike dhe ky është vlerësimi dhe objektivi ynë i përditshëm. Ky spital prej 770 metrash katrorë që do të shërbejë për qytetarët e Komunës së Podujevës pa dallim është sukses i përbashkët dhe është vlerësim konform dinamikës së punëve që unë i kam si ministër i Shëndetësisë”, ka theksuar ministri Zemaj.
Sipas tij, QKMF-ja në këtë komunë do të përfitojë furnizime nga marrëveshja që e ka nënshkruar me UNOPS-in, që siç thotë, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e zyrtarëve komunalë.
“Krahas kësaj ne kemi bërë edhe ngritjen e kapaciteteve humane, është shpallur konkursi për punësimin e specialistëve të papunë, të cilët do të shërbejnë edhe për Spitalin e Podujevës. Specializimet tashmë kanë filluar. Është një numër i konsiderueshëm i mjekëve të rinj, që kanë përfituar edhe nga Komuna e Podujevës”.
Por, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, ka thënë se LDK-ja për 20 vjet nuk ka arritur ta ndërtojë spitalin. Sipas tij, gënjeshtra e LDK-së për funksionalizimin e spitalit po vazhdon edhe këtë herë.
“Sivjet ne po përballemi me krizën më të madhe shëndetësore në dekada, me virusin COVID-19. Fatkeqësisht, shumë qytetarë tanë kanë vdekur, e mijëra të tjerë janë prekur nga ai. E asnjëri prej tyre nuk ka pasur mundësi që të trajtohet në Podujevë. QKMF-ja përveç që është në gjendje të keqe dhe pa staf esencial, nuk ka pasur as mbështetje më të madhe nga Komuna apo Qeveria nacionale për ta përballuar këtë krizë”, është shprehur Naim Fetahu. “E keni parë edhe ju, tani ministri i Shëndetësisë që vjen nga LDK-ja ka dalë me një propozim për ndërtimin e Spitalit të Podujevës. Kjo përveç që është një keqpërdorim i pushtetit qendror për shkak të zgjedhjeve, është edhe një gënjeshtër e madhe, të cilën LDK-ja e përdor tani e 20 vjet”.
Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se hartimi i projektit për Spitalin e Podujevës ka nisur gjatë mandatit të tij. Sipas tij, PDK-ja e ka nisur dhe PDK-ja do ta përfundojë këtë projekt.
“Bashkë me SHSKUK-në kemi planifikuar edhe personelin shëndetësor. Kemi nënshkruar edhe memorandum me Komunën për ndarjen e një parcele shtesë që të nisë ndërtimi i një spitali modern për Podujevën. Të gjitha përgatitjet i kemi bërë”, ka theksuar sekretari i PDK-së.
Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, thotë se projekti i prezantuar nga Ministria është kryekëput për efekte elektorale.
“Spitalit të Podujevës i është prerë shiriti edhe 2-3 herë të tjera. Secila herë në prag të zgjedhjeve, qoftë lokale, qoftë qendrore, por ai ende nuk është ndërtuar edhe 5 vjet pas.
Për ne dhe për qytetarët mund të them lirisht, është i papranueshëm përdorimi i resurseve shtetërore për të ndikuar në rezultate zgjedhore. Resurset shtetërore duhet të përdoren për t’u ofruar shërbime qytetarëve dhe jo për t’i mashtruar ata”, ka thënë Vendenis Lahu.
Në garë për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga LDK-ja, Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga PDK-ja. Për dallim se dy të fundit garojnë të vetëm, LDK-ja ka bërë koalicion parazgjedhor me AAK-në, PD-në dhe Organizatën e Ballit Kombëtar.