Ndërtimet nuk kanë të ndalur, sivjet me vrull më të madh
Në gjithë territorin e Kosovën, ndërtimet nuk kanë të ndalur. Madje po vazhdojnë me hov më të madh gjatë viteve të fundit. Gjithë kjo rritje ka ardhur falë shtimit të numrit të lejeve të ndërtimit që institucionet kanë dhënë për kompanitë përkatëse. Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës e Ferizaj po ndërtojnë viteve të fundit me vrull më të madh.
Edhe pse numri i lejeve të ndërtimit në kryeqytet duket se sivjet është në trend më të vogël se vitin e kaluar, është rritur sipërfaqja totale ndërtimore në metër katrorë. Kjo rritje për metër katrorë ka ardhur pasi në këtë vit si asnjëherë tjetër ka pasur ndërtime të larta, shkruan FaktePlus.
Këtë e pohon edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha.
Ai thotë se sivjet në Kosovë mund të këtë sipërfaqe të ndërtimit më shumë se sa në të gjitha vitet e mëparshme dhe si shembull e merr veçmas Komunën e Prishtinës.
“Më shumë metra katrorë që kanë nisur të ndërtohen në këtë vit në Prishtinë nuk ka pasur asnjë vit më parë. Mund të ketë leje më pakë, por komplekset banesore sivjet që po ndërtohen janë më të mëdhatë që kanë filluar të ndërtohen në 10 vitet e fundit. Fushë Kosova është ndërtuesi i dytë më i madhi. Nuk duket që ka ndonjë ndryshim sivjet në krahasim me vjet. Në Prizren ka ndërtesa të reja. Në nivel të Kosovës nuk është që kemi statistika tash për tash e të shohim saktë se apo ndërtohet sivjet më shumë apo vjet, por duket që mund të këtë sivjet më shumë”, ka thënë Hoxha.
Prishtina më pak leje, por më shumë sipërfaqe të ndërtuara
Komuna e Prishtinës i ka të publikuara të dhënat e lejeve të ndërtimit vetëm për dhjetë muaj, nga 1 janari deri me 31 tetor 2018. Për këtë periudhë në kryeqytet janë lëshuar 160 leje të ndërtimit për të gjitha llojet e ndërtesave ose për një sipërfaqe totale ndërtimore prej 758,281.70 metër katrorë. Nga numri total i lejeve, 40 janë për objektet shumë banesore dhe shumica janë në lagjen Mati 1. Një leje e ndërtimit për objektet shumë banesore ka raste kur përfshijnë më shumë se një ndërtesë shumëkatëshe.
Pagesa totale e lejeve të lëshuara për këta dhjetë muaj ka qenë 8,296,691.41 euro, nga to 3,315,581.96 euro kanë qenë pagesa e tarifës për rritjen e densitetit 4.30 euro (K-I), 10.70 € (K-II), dhe 4,981,109.45 euro pagesa e taksës administrative 6.50 euro për metër katrorë.
Kurse gjatë vitit të kaluar, Prishtina ka lëshuar 183 leje të ndërtimit dhe sipërfaqja totale ndërtimore në metër katrorë ka rritur vetëm në 563, 958.00 metra katrorë. Pagesa totale e lejeve të lëshuara ka qenë 8, 371,634.70 euro.
Ndërsa, në vitin 2016 kryeqyteti ka lëshuar 160 leje të ndërtimit, nga to janë rreth 50 për ndërtesat shumë katëshe dhe për të gjitha objektet, sipërfaqja totale ndërtimore në metër katrorë ka qenë 521,513.82 dhe janë paguar 8,658,500.22 euro.
Ndërtimeve edhe në komunat tjera
Komuna e Fushë Kosovës nuk ka dashur të tregojë se sa leje të ndërtimit i ka lëshuar sivjet e sa vitin e kaluar. Po ashtu, as ajo e Ferizajt nuk ka afruar të dhëna. Por, në qytetin e Ferizajt shihen duke u ndërtuara me dhjetëra ndërtime të larta.
Kurse për vitin 2016, Komuna e Prizrenit i ka lëshuar vetëm 14 leje të ndërtimit të të gjitha llojeve dhe më së shumti janë për shtëpi individuale. Ndërsa në vitin 2017 janë lëshuar 12 leje, përfshirë këtu edhe zonën historike. Por edhe kjo komunë nuk i ka publikuar lejet për vitin 2018.
Ndërkaq në Komunën e Pejës ndonëse ka një rënie të lejeve të ndërtimit në përgjithësi ka rritje të lejeve për objektet e larta shumë banesore. Prej 1 janarit deri me 16 gusht, për kaq kohë sa Komuna e Pjesë i ka të publikuara lejet e ndermit i ka lëshuar 150 leje për të gjitha kategoritë e ndërtimit. Për këtë periudhë rreth 9 mujore janë lëshuar 10 leje të ndërtimit për objektet shumë banesore. Gjatë 12 muajve të vitit të kaluar kjo komunë ka lëshuar 225 leje ndërtimi të të gjitha kategorive, nga to janë 7 për objektet e larta shumë banesore, kurse 1 ka qenë për motel.
Rriten edhe kostot e ndërtimit për 0.5 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Ndërtimit (IKN)” për tremujorin e tretë (TM3) 2018. Sipas ASK-së, Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati ngritje për 0.5 për qind në tremujorin e tretë (TM3) 2018, krahasuar me TM2 2018.
Por, rritje më të madhe kishte te kategoritë: transporti (14.3 për qind), energjia (1.6 për qind) dhe kostot e tjera me 0.6 për qind. Ndërkaq, krahasuar të njëjtën periudhë, TM3 2018 me atë të vitit paraprak, TM3 2017, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje prej 2.0 për qind. Ngritja e indeksit, kryesisht u vërejt te kategoritë: transporti (14.3 për qind), energjia (2.5 për qind), materialet (2.1 për qind) dhe kostot e tjera (1.3 për qind)./M.B – FaktePlus