Ndërmarrja që e bashkoi Shpend Ahmetin me LDK-në
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Socialdemokarte (PSD), duket se nuk janë të hatruara mes vete edhe pse bëjnë gjithë ato kritika e akuza të ndërsjella në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Së paku këto parti nuk mbajnë hatrim kur bëhet fjalë për të ndarë pushtet e për të emëruar njerëzit e tyre në pozita drejtuese.
Së fundi LDK-ja e PSD-ja në Prishtine janë marr vesh që të udhëheqin bashkë me Ndërmarrjen Lokale më të re të Komunës së Prishtinës “Pallati i Rinisë”, dhe në këtë linjë para pak ditëve kanë bërë emërimin e anëtarëve të Bordit të Ndërmarrjes.
Këtë emërim e ka bërë Komisioni i Aksionarëve i Komunës së Prishtinës i përbërë nga dy asamblistë të Kuvendit dhe një i deleguar nga kryetari Shpend Ahmeti, shkruan FaktePlus.
Komisioni përbëhet prej asamblistes së PSD-së, Mimoza Sylejmanit, asamblistit të LDK-së, Shefqet Osmani, si dhe nga menaxher i burimeve njerëzore në Prishtinë, Avni Zuka.
Këta tre persona edhe kanë emëruar anëtarët e Bordit të Ndërmarrjen Lokale “Pallati i Rinisë” me këtë përbërje: Arben Polloshka, Arsim Gollaku, Nazmi Kryeziu, Cuneyd Ustaibo, ky i fundit ka qenë asamblist i partisë turke KDTP, e cila ka qenë në koalicion në mandatin e parë me kryetarin Shpend Ahmeti.
FaktePlus ka të gjetura se njëri prej të emëruarve për anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Pallati i Rinisë” deri më tani ka qenë drejtues i strukturave të LDK-së, Dega në Prishtinë.
Bëhet fjalë për Arsim Gollakun, i cili deri më tani ka qenë anëtar i Kryesisë së Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë. Po i njëjti në vitin e kaluar, sipas një publikimi që kishte bërë Ismet Beqiri, ka qenë udhëheqës i nëndegës së partisë në Kodrën e Trimave.
Kurse sipas listave të publikuara në KQZ, Gollaku ka qenë edhe kandidat për asamblist në zgjedhjet e fundit lokale nga radhët e LDK-së, por kishte dështuar të fitonte një ulëse në Asamblenë Komunale.
Po ashtu, Arsim Gollaku një vit më parë kishte aplikuar edhe për drejtor të Bordit të NP “Trafiku urban”, por nuk i kishte plotësuar kushtet për intervistë.
E anëtari tjetër i ri i Bordit, Arben Polloshka është bizmesmen dhe ish- sportist dhe deri me tani ka qenë anëtar i Komisionit profesional të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Edhe pse Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Bordi i Ndërmarrjes “Pallati i Rinisë” është i përkohshëm, deri në hapjen e një konkursi, megjithëkëtë ky Bord pritët të emërojë Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes, me të cilin edhe do të udhëheqë për katër vitet e ardhshme.
Si do qoftë, Lidhja Demokratike të Kosovës nuk ka dashur të përgjigjet lidhur me angazhimin që ka pasur Arsim Gollaku në të kaluarën në struktura të paratisë, por as si arritën deri te marrëveshja me PSD-në. Njëjtë ka refuzuar të përgjigjet edhe Komuna e Prishtinës./M. Buzhala -FaktePlus