‘Ndahet në dysh’ për Kosovën partia e euro-deputetes Viola von Cramon
Eurodeputetja Viola von Cramon që disa ditë po merret shumë me gjendjen politike në Kosovë. Në fakt gjermania është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Cramon ishte kundër rënies së Qeverisë dhe për më tepër publikisht kundërshtonte veprimet amerikane në Kosovë.
Një ditë para se të binte Qeveria Kurti, përmes ambasadorit Philip Kosnett, SHBA-të thanë se ‘janë të lumtur që po mbahet seanca dhe se Kushtetuta duhet të respektohet’.
Viola von Cramon i reagoi fuqishëm duke thënë se ‘Amerika po bën një autogol me dimension historik’.
Por nga cila parti vjen von Cramen dhe cila është historia e kësaj parti në raport me Kosovën. Në biografinë e saj shkruan se ajo vjen nga partia Alliance ’90/The Greens.
‘Të gjelbërtit’ gjermanë kishin pasur një thyerje në parti në kohën kur në Kosovë zhvillohej luftë dhe NATO po diskutonte reagimin ushtarak. Në atë kohë kjo parti udhëhiqej nga Joschka Fischer qe ishte Ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Ai dhe disa të tjerë ishin pro ndërhyrjes ushtarake por një pjesë e partisë së tij ishte kundër. Siç shkruan edhe në Wikipedia, kjo bëri që partia të ketë rënie në vota.
Thyerja ndodhi 6 muaj pasi koalicioni i tyre me Spocialdemokratet vendosi të marrë pjesë në intervenimin ushtarak në Kosovë.
“Pothuajse menjëherë partia u zhyt në një krizë nga pyetja e pjesëmarrjes gjermane në veprimet e NATO-s në Kosovë. Anëtarë të shumtë të partisë anti-luftë dhanë dorëheqjen nga partia kur u vendos të dërgohen trupat gjermane jashtë vendit. Partia filloi të përjetojë një seri të gjatë humbjesh në nivelin lokal dhe shtetëror”, thuhet në shumë faqe në internet, lidhur me historinë e saj.
Në fakt reagimet e euro deputetes nuk duken vetëm një qëndrim partiak i saj. Prej kohesh flitet se Gjermania e Amerika kanë dallime në raport me Kosovën. Derisa Gjermania synon një zgjidhje më ngadalë, Amerika një zgjidhje më të shpejtë dhe më jo më shumë burokraci.