Nata ia sjellë ajrin e pa shëndetshëm Prishtinës
Dy tri ditë para së të binte bora e parë, era që frynte nga pak bëri që Prishtinë të ketë ajër më të shëndetshëm.
Po ashtu ne nivel me të mirë ajri ishte edhe gjatë reshjeve të borës, por në mbrëmjen e sotme është rikthyer ndotja.
Sipas matjeve të fundit të cilësisë së ajrit nga matësit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë në ora 23:00, cilësia e ajrit del të jetë jo e shëndetshme, ose i kategorisë “i sëmur”, në shifrën prej 162 µg/m3, shkruan FaktePlus.
Para pak ditëve, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Matoshi, ka thënë se problemi me ndotjen e ajrit nuk mund të zgjidhet për një ditë dhe se bëhet fjalë për një problem zgjidhja e të cilit do kohë.
ai ka thënë se edhe makinat, termocentralet dhe thëngjilli janë shkaktarët e ndotjes së ajrit në Kosovë. Ai ka folur për Vendimin administrativ të hyrë në fuqi para një jave.
“Vendimi administrativ i gjobave ishte i domosdoshëm. Nuk e di saktë sa është numri i gjobave, por e di që mekanimzmat që e zbatojnë janë inspektorët e Ministrisë, Komunat dhe Policia. Në secilën komunë ku gjobiten qytetarët, ato mjete iu dedikohen komunave për ambinetin. Gjobat sillen nga 20 deri në 100 euro”, ka thënë Matoshi.
Nga ana tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se po përcjell në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë e veçmas në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Drenas e sipas të dhënave të Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës janë mbi vlerat e lejuara.
“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të vdekjeve të parakohshme, të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”, ka bërë të ditur ky Institut. /FaktePlus/