Naftëtarët kërcënojnë Qeverinë me mbylljen e pikave të karburantit
Shoqata e Naftëtarëve ka dalë me një letër për Qeverinë me të cilën ka dhënë propozimin e saj, por edhe ka dhënë tri paralajmërime nëse Qeveria s’e mbështet. Kërkesa e kësaj shoqate është të vazhdohet me ekonomi të tregut të lirë.
Me kërcënimin se do t’i mbyllin të gjitha pikat e karburantit në Kosovë, naftëtarët i janë përgjigjur Qeverisë së Kosovës për draftvendimin me të cilin parashihte të kufizonte fitimin për litër të derivateve.
Sipas një drafti të Qeverisë parashihte që fitimi te jetë 2-3 centë për litër naftë për shitësit me shumicë dhe 6-10 centë për litër për shitësit me pakicë. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë treguar se sipas një llogaritjeje të fundit, vendimi i propozuar zbret çmimin e naftës deri në 10-12 centë. Në Kosovë çmimi i naftës ka arritur në vlera rekorde, në mbi 1.8 euro.
Shoqata e Naftëtarëve ka dalë me një letër për Qeverinë me të cilën ka dhënë propozimin e saj, por edhe ka dhënë tri paralajmërime nëse Qeveria s’e mbështet.
Kërkesa e kësaj shoqate është të vazhdohet me ekonomi të tregut të lirë. Nëse kjo s’merret parasysh, naftëtarët kanë kërkuar që marzha e fitimit të caktohet në nivelet e çmimeve aktuale prej 3 për qind për shitjen me shumicë dhe 12 për qind për shitjen me pakicë.
“Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, jemi të detyruar që të ndërmarrin masa të tjera për të mbrojtur ekzistencën e kompanive tona nga falimentimi përfshirë të mëposhtmet: apelim i vendimit të datës 1 mars 2022, për kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga ky vendim, apelim i vendimit të ri, nëse merret duke shpërfillur kërkesat tona të mësipërme dhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në letrën e naftëtarëve.
Çmimet naftës në Kosovë po vazhdojnë të rriten nga dita në ditë. Ndaj, të mërkurën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri i cili rregullon çmimet e naftës.
Sipas ministrisë, ligji i ri parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt”, u tha në komunikatën për media
Nga 1 marsi për 90 ditë Qeveria pati vendosur marzhë fitimi për naftëtarët. Tash kjo shoqatë ka kërcënuar me kërkesën për kompensim të humbjeve të shkaktuara nga ai vendim, nëse Qeveria s’merr parasysh kërkesën aktuale.
Është paralajmëruar edhe për apelim të vendimit të ri, ndërsa si masë kërcënuese e fundit është përmendur mbyllja e pikave të derivateve në tërë vendin deri në reflektim të Qeverisë.
Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, naftëtarët kanë thënë se kanë punuar me humbje për shkak të vendimit të mëhershëm.
Sipas naftëtarëve, shteti aktualisht fiton rreth 64 centë për litër të shitur. Kjo shoqatë ka thënë se nëse “Qeveria është e interesuar ta mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”.
Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbajtjen e një debati parlamentar për rritjen e çmimeve të derivateve, teksa një litër naftë në Kosovë më 9 qershor po shitet për mbi 1.80 euro.
Në një konferencë për media, deputeti i LDK-së,Besian Mustafa, tha se do të kërkojnë edhe miratimin e një rezolute për uljen e akcizës në derivate dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet esenciale, “deri në tejkalimin e kësaj krize”.
“Çmimi i litrës së naftës ka tejkaluar mbi 1.80 euro dhe po shkon drejt 1.90 euro. Nëse për një periudhë të caktuar do të largoheshin tërësisht akciza dhe TVSH-,ja çmimi do të binte në rreth 1.20 euro. Pra, kjo Qeveri po u merr qytetarëve të Kosovës rreth 60 centë për çdo litër naftë që ata konsumojnë”, tha Mustafa.
Çmimet naftës në Kosovë po vazhdojnë të rriten nga dita në ditë. Ndaj, të mërkurën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri i cili rregullon çmimet e naftës.
Më 31 maj 2022 ka skaduar vendimi i Qeverisë së Kosovës që ua kufizonte çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.
Mungesa e kontrollit nga shteti po krijon hapësirë për abuzime te tregtarët, duke i ngritur çmimet disa herë brenda ditës.
Deri më tani, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për ta hequr akcizën apo TVSH-në për derivatet, që do të ndikonte në uljen e çmimit.
Institucioni i vetëm që heton marrëveshjet në mes operatorëve, Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional në mungesë të bordit. Pozita ende nuk ka vendosur që këtë autoritet ta bëjë funksional.