Nafta lirohet në botë, vazhdon të shtrenjtohet në Kosovë
Kohët e fundit vazhdimisht ka pasur ngritje të çmimit të derivateve në Kosovë. Gjatë ditës së sotme është vërejtur një tjetër ngritje e çmimit të naftës. Një litër naftë është shitur më 1 euro e 90 cent.
Çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës sërish ka shënuar rritje, pavarësisht se në bursën ndërkombëtare ka rënie.
Sipas Oil Price, një barrel naftë e papërpunuar po tregtohet me 116 dollarë nga 118 dollarë që ishte një ditë më parë. Po ashtu, nafta WTI po tregtohet me 112 dollarë kundrejt 115 dollarë për barrel.
Mirëpo, pavarësisht së rënies së çmimeve në tregun botëror, në Kosovë po ndodh e kundërta.
Aktualisht, në Kosovë një litër naftë dhe benzinë po tregtohet duke filluar nga 1.85 euro deri në 1.90 cent.
Kurse, Shoqata e Naftëtarëve ka dalë me një ultimatum ndaj Qeverisës së Kosovës, pasi kjo e fundit paralajmëroi ndërhyrje në rregullimin e çmimit që ka pësuar rritje ekstreme ditëve të fundit.
Fadil Berjani u ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave ulje të akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës.
Ai ka paralajmëruar edhe mbyllje të pompave të derivateve në gjithë vendin, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri i cili rregullon çmimet e naftës.
Sipas MINT-it, kjo do të parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse. Ndërkohë deri më tani asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.
Lufta e Ukrainës bëri që çmimi i naftës për pak kohë të shkojë mbi 139 dollarë për fuçi në mars, shifra më e lartë që nga viti 2008, duke përkeqësuar presionet e inflacionit.