Mustafa tregon brenda sa dite do ta formojnë qeverinë e re
Mustafa tregon brenda sa dite do ta formojnë qeverinë e reKryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se është i bindur që partia e tij bashkë me AAK-në, Nismën dhe partitë joshumicë, kanë votat e mjaftueshme për formimin e shumicës në Kuvend dhe për formimin e qeverisë së re.
Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, Mustafa ka thënë se LDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësi “jo se është e etur për pushtet”, por se “dëshiron t’i shërbejë vendit e demokratizimit”.
“Në këto momente nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe në shpërndarje të Kuvendit të Kosovës meqenëse jemi në kohë pandemie e që kërkon mobilizim të të gjitha subjekteve e aparatit shtetëror për të fituar betejën kundër pandemisë së Covid-19 dhe e dyta po ashtu se deputetët janë në fillim të mandatit të tyre dhe ka angazhim, vullnet, që ky mandat të shfrytëzohet në të mirë të Republikës së Kosovës”.
“U shprehëm kundër zgjedhjeve të reja, por jemi pro formimit të qeverisë së re, që do të kishte kapacitetet për t’u ballafaquar me situatën aktuale, në luftë me virusin e të marrë përgjegjësi për dialogun, rimëkëmbjen ekonomike dhe fushat tjera që kemi nevojë t’i çojmë përpara. Si LDK jemi shprehur edhe më parë që jemi të gatshëm të marrim këtë përgjegjësi, jo se jemi të etur për pushtet apo se na pëlqen që të marrim përgjegjësi në këtë periudhë të rëndë, por konsiderojmë se jemi themeluar si parti që t’i shërbejmë vendit e demokratizimit të Kosovës”.
“Kemi kontaktuar me disa prej partnerëve me të cilët kemi shprehur dëshirë për bashkëudhëheqje, me AAK-në, Nismën, përfaqësues të partive joshumicë. Kemi marrë vullnetin dhe përkushtimin e tyre. S’kemi numëruar votat, por jemi të bindur se kapërcejnë atë që kërkon Kuvendi dhe Kushtetuta për formimin e qeverisë. Nesër do të bisedojmë për mandatarin e do të marrim miratimin e Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.