Mustafa: Si do të silleshim po të ishte fëmija rom që u vra i afërm i ndonjë politikani apo serb
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar rreth vrasjes së të miturit rom në Fushë Kosovë, të cilin e ka quajtur makabër.
Mustafa ka theksuar se një krim i tillë vështirë se po depërton në ndërgjegjën e shoqërisë, e më së paku në përgjegjësinë shtetërore.
Por, ish kryeministri Mustafa ka shtruar një pyetje se po të ishte ky fëmijë i ndonjë qeveritari, parlamentari, prokurori apo ndonjë serbë, çfarë do të ndodhte.
“Nuk mundem e mos ta shtroj pyetjen sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmi i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori?! Po të ishte fëmi shqiptar? E lere, po te ishte serb, që do të kumbonin këmbanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare”, ka pyetur Mustafa, raporton FaktePlus.
Më poshtë lexojeni reagimin e plotë të Mustafës:
Një fëmijë 9 vjeçar i dhunuar, i komunitetit rom në Fushë Kosovë dhe i mbytur, po mundohet të bëhet lajm nga mediat tona. Por s’di sa po arrihet. Një vrasje monstruoze e një qenie njerëzore, e një qytetari të pafajshëm e të varfër që bukën e siguronte nga mbledhja e kanaqeve, vështirë se po depërton në ndërgjegjen tonë shoqërore, e më së paku në përgjegjësinë shtetërore.
Çdo temë duket se është më e rëndësishme sesa përdhunimi dhe vrasja makabre e një fëmiu të pafajshëm nga një kriminel i njohur për organet e rendit. Se vuajtja e një nëne.
Nuk mundem e mos ta shtroj pyetjen sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmi i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori?! Po të ishte fëmi shqiptar? E lere, po te ishte serb, që do të kumbonin këmbanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Është një fëmi rom. Ashtu siç ishte një rome e shkretë që u rrah mizorisht në publik në Lipjan dhe në Ferizaj.
Nuk mund të arsyetohet neglizhenca e policisë, e prokurorisë dhe e zyrtarëve të tjerë që nuk kanë ndërmarrë masa për ta mbrojtur një qytetar të pambrojtur të këtij vendi. Edhe ata janë përgjegjës.
Unë i përgëzoj mediat për qasjen e tyre profesionale në trajtimin e këtij rasti, për përpjekjet e tyre për ta zbardhur vdekjen e këtij fëmiu, sepse po të mos ishin mediat, sa për të tjerët, për t’i ikur përgjegjësisë ishte konstatuar, vetëm, se një fëmi u gjet i vdekur te do shkallë në rrethana të panjohura. Dhe pikë.
Por ku jemi ne, ku janë institucionet që po heshtin, ku është shoqëria civile?
Askund!
Duhet të na vret ndërgjegja. Shteti dhe shoqëria që lejon dhe sillet në mënyrë indiferente ndaj përdhunimit dhe vrasjes së fëmijëve të vet nuk i ka punët mirë! IM /FaktePlus