Mustafa paralajmëron PDK-në: E ardhmja ime varet nga reflektimi i krerëve të partisë
Intervistoi: Beadin Syla
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së në nivel qendror, Nehat Mustafa ka vazhduar me kritika ndaj partisë e qeverisjes lokale në Ferizaj. Ai në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se ndër arsyet kryesore për dorëheqjen e tij nga grupi i këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Ferizajt, ka qenë praktikimi i një qeverisje arrogante, jo transparente dhe jo të barabartë për gjithë qytetarët.
Mustafa që gjatë qeverisjesve të kaluara ishte për një kohë zëvendësministër i Punëve të Bredshme dhe i Arsimit, ka kritikuar udhëheqësit e partisë të cilës i përket, se nuk e po i vlerësojnë strukturat e degëve të cilat i kanë sjellë deri më tani fitoren PDK-së. Derisa, sipas tij, degët dështake janë shpërblyer me poste ministrore.
Ai mes tjerash ka paralajmëruar krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, që të reflektojnë karshi temave që ka ngritur, për ndryshe e ardhmja e tij në PDK do të jetë e diskutueshme.
FaktePlus: Z, Mustafa pse u larguat nga grupi i asamblistëve të PDK-së në Ferizaj. Cilat janë pakënaqësitë e juaja?
Mustafa: Arsyet e largimit tim nga Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Ferizaj i kam bërë publike edhe nga foltorja e Kuvendit Komunal dhe nga një postim në rrjetin social Facebook.
Që nga fillimi kam deklaruar se jam kundër qeverisjes duke përdorur arrogancën e numrave në Kuvendin e Komunës. Kam kërkuar që të ketë transparencë me të madhe në qeverisje dhe trajtim të barabartë të qytetarëve, sidomos në punësime. Kontratat në vepër kanë qenë njëra nga pikat ku ne si PDK sa ishim opozitë e kemi kritikuar ish- kryetarin Sfarqa. Dhe, çfarë ndodhi, vetëm për disa muaj qeverisje, pushteti i tanishëm komunal ka bërë qindra e qindra punësime po me kontrata në vepër.
Pastaj, qeverisja komunale, për të siguruar votën e disa këshilltarëve i ka joshur ata me punësime familjare: dikujt ua ka punësuar burrat, dikujt tjetër ua ka punësuar gratë, ndonjë tjetri vëllezërit, nipat, dajët, apo ndonjë këshilltar është punësuar edhe vet.
Këshilltarët e partive që janë pjesë e koalicionit, edhe pse janë personalitete me vota shumë të pakta, janë bërë pjesë e përfitimeve shumë të mëdha, duke luajtur me kartën e kushtëzimit të votës.
Kryesia e degës ku unë jam edhe nënkryetar dhe Këshilli Drejtues i Degës që nga marrja e pushtetit ka qenë pothuaj inekzistente dhe pothuaj të gjitha vendimet janë marr nga dy-tre persona.
Komplet një nëndegë ka dhënë dorëheqje dhe asnjëherë nuk është mbledh kryesia e degës për ta shqyrtuar këtë dorëheqje.
Ka dhënë dorëheqje Drejtori i Arsimit që është edhe anëtar i kryesisë së degës dhe kjo nuk është debatuar fare në kryesi, ashtu siç nuk është debatuar as emërimi i drejtorit të ri.
Ka edhe shumë arsyeje të tjera, por këto kanë qenë më kryesoret që kam marr vendim për të dal nga Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Ferizaj.
FaktePlus: A është ky paralajmërim se mund të largoheni edhe nga PDK-ja?
Mustafa: Ende jam pjesë e PDK-së dhe po pres që do ketë reflektim të partisë për shqetësimet që unë kam ngritur, por që në realitet janë shqetësime të shumë e shumë aktivistëve të vërtetë të PDK-së (jo profiterëve që u bënë me PDK-në mbasi ajo erdhi në pushtet). Të gjitha çështjet që kam ngritur i kam bërë publike në vazhdimësi. Fakti që asnjëherë nuk janë shtruar për diskutim, mbase është dëshmia më e mirë se unë kam pasur të drejtë dhe ata që ndjehen të atakuar në këtë rast nuk mund t’i mohojnë këto akuza.
FaktePlus: Keni lavdëruar deputetin e AKR-së, Labinot Tahirin që bëri një ministër nga Ferizaj. Kush është fajtor që PDK-ja për vite nuk arriti këtë?
Mustafa: Me shumë se me lavdërim të Labinot Tahirit, poenta e postimit tim ka qenë që mbase nivelet qendrore të partisë e kuptojnë vetëm këtë formë komunikimi që ka bërë Labi. Pra, kjo vlen edhe për LDK-në në Ferizaj, sepse edhe nga kjo parti Ferizaj nuk ka pasur asnjëherë përfaqësim në nivel ministri.
Unë edhe në të kaluarën kam theksuar se PDK duhet të përfaqësohet në nivel ministrash edhe nga komunat tjera (pra nuk kam folur vetëm për Ferizajn), e jo që tradicionalisht pjesa më e madhe e ministrave të jenë nga degët që asnjëherë nuk kanë fituar në zgjedhje, si Prishtina, Peja, apo ndonjë degë tjetër dështake.
Fajtor për mos përfaqësimin e Ferizajt në qeveri në nivel ministrash janë organet vendimmarrëse të PDK-së. Përkundër asaj që në çdo fushatë zgjedhore është premtuar një emërim i tillë, me të marr pushtetin harroheshin këto premtime, Pse ka ndodhur kjo, nuk e di dhe mbase këtë e ka obligim udhëheqja e PDK-së ta sqarojë. Por, një gjë është e vërtetë. Ferizaj ka me qindra e qindra kuadro që nëse nuk janë më lart, atëherë janë së paku të nivelit çfarë janë sot ministrat e PDK-së. Prandaj, PDK duhet të reflektoj sepse nuk mund të zgjasë në pafundësi ky injorim i Ferizajt. Po e them, aktivistët e vërtetë kanë filluar të flasin me vëndosmëri si asnjëherë më parë.
FaktePlus: Procesi i zgjedhjeve brenda partisë po vazhdon. A keni ambicie për të parin e PDK-së në Ferizaj?
Mustafa: Për momentin nuk kam asnjë interesim për t’u bërë pjesë e garës së brendshme zgjedhore të PDK-së. Prandaj, logjikisht nuk kam asnjë ambicie për të garuar për të parin e PDK-së në Ferizaj.
Unë vazhdoj të mbetëm për momentin anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në nivel qendror. E ardhmja ime do varët varësisht nga reflektimi që kryesia e PDK-së do ketë në raport me çështjet që kemi hapur./FaktePlus